Milani dhe Interi rigjejnë fitoren

26/09/2012 22:45

Milani dhe Interi rigjejnë buzëqeshjen. Skuadrat milaneze u rikthyen më në fund te fitorja në kampionat për të ngritur disi moralin e këtij fillimi sezoni shumë negativ.

Kuqezinjtë mundën 2-0 Kaljarin pikërisht në “San Siro” duke shënuar edhe suksesin e parë në këtë impiant për sezonin aktual. Heroi për Milanin u bë El Sharaui, autori i të dy golave për skuadrën e tij. Golin e parë El Sharaui e shënoi në minutën e 15 pas një pasimi të saktë të Montolivos. Kur kishin mbetur 10 minuta nga fundi, El Sharaui vulosi përfundimisht fitoren për Milanin që  ngjitet në kuotën e 6 pikëve.

Me të njëjtin rezultat fitoi edhe Interi në Verona ndaj Kievos. Skuadra e Stramacionit mori avantazhin në minutën e 43 të ndeshjes me anë të Alvaro Pereirës. Për të vendosur përfundimisht qetësinë te skuadra zikaltër mendoi Antonio Kasano që në minutën e 80-të shënoi golin e sigurisë për Interin që arrin në kuotën e 9 pikëve.  

Napoli i bashkangjitet Juventusit në krye të renditjes në Serinë A. Skuadra e Valter Maxarrit mundi pa shumë priobleme Lacion me rezultatin 3-0. protagonisti për skuadrën napoletane u bë Edison Kavani autor i të 3 golave për skluadrën e tij.  

Roma nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 me Sampdorian edhe pse kjo e fundit e mbylli ndeshjen me 10 futbollistë. Toti kaloi në avantazh skuadrën e drejtuar nga Zdenek Zeman, por Munari barazoi gjithcka duke i dhënë skuadrës së tij 1 pikë.

Me barazimin  1-1 pëqrfundoi edhe Xhenoa-Parma, ndërkohë që nuk pati gola në sfidën mes Torinos dhe Udinezes.

Top Channel