Fierza, në rënie të lirë, zbret 267 metra

26/09/2012 00:00

Reshjet e pakta nuk e ndalojnë dot tatëpjetën e nivelit të Fierzës,
liqenit më të madh në vend, nga ku sigurohet energjia elektrike.
Thatësira e tejzgjatur, bashkë me shfrytëzimin maksimal të
hidrocentraleve në Veri, kanë shkaktuar zbrazjen e liqenit, niveli i të
cilit ka arritur në kuotën e 267 metrave mbi nivelin e detit, ose afro
25 metra më pak nga fillimi i muajit korrik.

Drejtues të KESH-it, korporata që menaxhon hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaun e Dejës, bëjnë të ditur se niveli i ujit bie çdo ditë me të paktën gjysmë metri dhe se zgjidhja e vetme shihet rritja e importeve. KESH nuk po kryen blerje, sepse sipas saj, ndodhet brenda kufirit të lejuar për të mos importuar, por kjo detyrë i takon CEZ-it, kompanisë çeke, e cila shpërndan energjinë elektrike te konsumatori.

Me nevojat që ka vendi, do të duhen të paktën 10 milionë import në muaj energji elektrike dhe se zgjidhja emergjente duhet të vijë nga arka e shtetit, e cila nuk është se po i përgjigjet dot kërkesave të situatës. Prodhimi ka arritur në rreth 17 milionë kilovat, për të siguruar nevojat e vendit, por kjo situatë nuk mund të zgjasë shumë.

CEZ pranon se importet duhen kryer nga vetë ajo, por shton gjithashtu se nuk ka pasur mundësi për shkak të gjendjes financiare, e shkaktuar edhe nga dy vendimet e fundit të tatimeve dhe ERE, për vendosje gjobash deri në 35 milionë euro. Tashmë për CEZ nuk flitet më për investime, por për të marrë vendim nëse do të importojë, për të mos lënë vendin në terr dhe se si do t’i realizojë atë.

Dy javë më parë, gazeta “Shqip” paraqiti panoramën e zymtë të financave shqiptare, në pamundësi të gjetjes së një konsensusi. Veprimi i parë u mor këto ditë me hartimin e aktit normativ, që i jep CEZ-it rreth 13 milionë dollarë, si detyrim i ujësjellësve ndaj kompanisë për faturat e papaguara. Por kjo shumë nuk mjafton për sheshimin e problemeve, ose më saktë vlen vetëm për një muaj energji, e siguruar një pjesë nga importi.

Situata me zbrazjen e Fierzës nuk mund të vazhdojë gjatë, pasi po afrohet pika kritike, 10 metra larg dhe se Ministria e Financave apo Kryeministri duhet të dalin me një vendim politik ose ekonomik. Nga Praga lajmet nuk duken optimiste për zgjidhjen e qeses për zhbllokim fondi, kurse CEZ-i në Tiranë është aktualisht në situatë të nderë financiare. Borxhet janë të shumta, mbi gjysmë miliard dollarë. Edhe KESH ka borxhe, të paktën 150 milionë dollarë, ku një pjesë u takon bankave, si dhe operatorëve ekonomikë.

Sikur të mos mjaftonin problemet financiare, të dy operatorët, si KESH ashtu dhe CEZ, janë përballë rrezikut të bllokimit të llogarive bankare nga Përmbarimi privat, pasi kanë shumë detyrime të pashlyera. E thënë ndryshe, situata energjetike ka hyrë në një spirale të rrezikshme, ku vetëm buxheti mund t’i japë një zgjidhje emergjente, por jo afatgjatë, pasi kjo e fundit realizohet vetëm nëse palët u qëndrojnë korrekt kontratave.

Top Channel