Ndërsa shkollat e larta bëhen gati të hapin dyert e tyre për vitin e ri universitar, emisioni i përjavshëm “Shqip” trajtoi një temë të rëndësishme, atë të të universiteteve jopublike në Shqipëri.
Për këtë arsye, paneli i Rudina Xhungës u përbë nga tre rektorë, duke nisur nga Adrian Civici, rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Kristaq Traja, rektori i Universitetit Luarasi dhe Spiro Brumbulli, rektor i “Tirana Business University”, ndërsa për arsye të festivalit të filmit, nuk mundi të ishte i pranishëm Kujtim Çashku, i shkollës së artit “Marubi”.
Biseda në studio, nisi mbi konsurciumin e shkollave private, një nismë që synon të bashkojë në një organizëm të vetëm të gjithë shkollat e larta jopublike. “Një riorganizim i arsimit është bërë i domosdoshëm në Shqipëri”, argumentoi Traja. “Shkollat private të arsimit janë të shumta dhe krijohen tensione të panevojshme për të gjithë. Kjo duhet rregulluar me ligj, një ligj që të zgjidhë problemet reale, duke bërë njëkohësisht autonom arsimin, ashtu si çdo shoqëri. Shteti nuk mund të shohë shkollat thjesht si Sh.P.K, nuk mund të mos jetë i interesuar për të ardhmen e edukimit në vend”.
Megjithatë, duke shpjeguar konceptin e konsurciumit, zoti Civici theksoi se ai “nuk do të jetë një lloj sindikate e universiteteve jopublike, por përbën edhe një filtër cilësie, pasi ai shoqërohet me një kartë dhe kushte që duhet të pranohen, duke vendosur një standart të ri në arsim”.
Duke u përqendruar në dallimin mes universitetit shtetëror dhe atij privat apo paragjykimet që ekzistojnë mes njërit apo tjetrit, Civici argumentoi: “Shqipëria sot ka 13-14% të popullsisë me arsim të lartë, ndërsa vendet e zhvilluara kanë mbi 30% dhe ato shumë të zhvilluara mbi 40% e më shumë. Pra kemi një boshllëk të madh për të arsimuar popullsinë. Shkolla e lartë është një investim që personi realizon për t’u bërë më kompetent në një fushë dhe kjo të kualifikon për tregun e punës,. Shqipëria ka nevojë për arsim, por mundësitë financiare janë të kufizuara, prandaj sektori duhet të hapet dhe të thitë fonde nga rrethe të tjera, përveç atyre shtetërore. Përsa kohë shteti nuk ka mjete ta bëjë këtë vetë, arsimi privat është i domosdoshëm. Ajo që ne kërkojmë nga shteti është të krijojë një barazi mes dy llojeve të sistemit publik në Shqipëri, privat apo publik, duke nisur nga një reformë financimi”.
Për Civicin, reforma duhet të konsitojë në thelbin që universitet private të financohen nga buxheti i shtetit për financime, në këmbim të bursave dhe rimbursimeve të tjera tek studentët.
Por, përse duhet të paguajnë taksapaguesit para që do të dërgohen tek arkat e universitetit privat. “Kjo nuk duhet kuptuar si një tentativë e privatit për të marrë para nga shteti. Kjo është një shumë që do të zbritet. Pra, nëse sot studenti paguan 2 500 euro nga xhepi, do të paguajë 2 500 euro minus shumën, që shkon për cilësinë e edukimit. Duhet kuptuar që ky është një financim për arsimin. Diçka tjetër që ne kërkojmë është të zbatohet i njëjti kriter në çdo rast. Pra, në rastin tonë, ne duhet të zbatojmë kritere për hapësirën. Përshembull, me ligj, një student duhet të ketë 4 metra katrorë dhe në një godinë 1 mijë metra katrorë, mund të studiojnë 250 studentë. Tek shtetërori kjo nuk ndodh. Duhet kuptuar se është në interesint tonë që universiteti publik të forcohet, pasi njëkohësisht do të sjellë edhe forcimin tonë. Dy gjërat janë të lidhura bashkë”, argumentoi zoti Brumbulli.
Në lidhje me paragjykimet ndaj sistemit jopublik të arsimit, ishte Civici ai që bëri një ilustrim të plotë të situatës. “Është e vërtetë që në momentin e hapjes së universiteteve private, pjesërisht prej mosnjohjes, cilësisë në disa raste apo kostove, ky lloj arsimi ishte zgjedhja e dytë dhe i përkiste studentëve që nuk arrinin të fitonin në shtet. Numri i regjistrimeve, ishte i madh përpara fillimit të sezonit dhe kjo tregon se bëhej fjalë për nxënës që nuk pranoheshin tek shtetërori, kryesisht me mesatare të ulët e ndonjëherë vetëm kaluese. Megjithatë, në dy vitet e fundit tendena po përmbyset, me studentë të ekselencës që zgjedhin të studiojnë në UET, për shkak të degës apo arsyeve të tjera. Mesatarja e përgjithshme vjen gjithmonë në rritje, ndërsa periudha e regjistrimeve më e diversifikuar”.
Përballur me këtë paragjykim, por edhe raste skandaloze të korrupsioni, si diplomimi i djalit të politikanit italian Umberto Bosi në një universitet shqiptar pa njohur gjuhën shqiptare, rektori i “Tirana Business University”, pranoi se “ekziston një lloj paragjykimi. Si çdo treg, edhe arsimi ka mbetjet e veta anësore. Nuk nuk ka treg perfekt në Shqipëri dhe nuk mund të arrihet cilësia maksimale që nga fillim, aq më tepër në kushtet kur deri në vitin 2002, nga një mungesë e plotë e fakulteteve private, për gjashtë vjet u hapën mbi 40 universitete”.
Duke u rikthyer tek standartet e pabarabarta midis universiteteve, Civici u ndal tek procesi i akreditimit. “Kur një degë është e akredituar, do të thotë se ka respektuar standartet rigoroze ligjore shqiptare. Por, përse një universitet shtetëror e ka akreditimin aforfe? Ne kërkojmë që të ekzistojë një konkurrencë transparence, të bëhet një listim dhe klasifikim i universiteteve sipas cilësisë që ofrojnë vit pas viti. Më pas, do të jetë tregu ai që do të bëjë diferencën e tij”.
Në lidhje me stafin pedagogjik, rektori i UET-së, Ardian Civici, vlerësoi se “Shqipëria ka nevojë urgjent për 40% më shumë pedagogë dhe kjo sjell që shumë prej pedagogëve tanë të jenë të punësuar edhe në shtet. Pa dyshim, ata nuk janë pasuri vetëm shtetëore. Ata duhen konsideruar si pasuri kombëtare. Nga ana tjetër, ne po trajnojmë stafet eksluzivisht tona, me 80% e pedagogëve që janë të UET-së eksluzivisht. Në këtë kuadër, i kemi bërë thirrje të gjithë shqiptarëve me doktoratura e PHD jashtë vendit, që synojnë një karrierë akademike, të afrohen dhe të vlerësojnë mundësitë e tyre në universitetet tona”.
Top Channel