Një shtetas nga Emiratet e Bashkuara Arabe ngriti një padi ndaj ish-bashkëshortes së tij, e cila ngeli shtatzanë pasi i përdori spermën pa aprovimin e tij.
Çifti kishte pasur probleme fertilizimi dhe më parë, materiali gjenetik i bashkëshortit ishte marrë dhe depozituar në një klinikë private, për t’u përdorur në momentin më të përshtatshëm për të krijuar një shtatzani.
Megjithatë, pak pas këtij hapi, çifti ishte divorcuar.
Kjo nuk e pengoi gruan, një shtetase ruse, që të paraqitej në klinikë pa aprovimin e bashkëshortit të saj dhe të kërkonte përfundimin e procedurës, kundër vullnetit të partnerit të saj.
Më pas, rusja lindi një vajzë, e cila kundër të gjitha gjasave, rezultoi gjenetikisht fëmijë i shtetasit emiratas, ndonëse kontakti i fundit seksual midis tyre kishte ndodhur më larg se nëntë muajt e shtatzanisë.
Hetimet treguan se fëmija ishte realisht i tiji dhe se ishte fekonduar në këtë mënyrë ilegale në klinikën private. “Jam i revoltuar. Si mund të bëhesh baba pa e dashur. Unë dua drejtësi. Kjo është e papranueshme”, u shpreh emiratasi për një gazetë.
Tashmë gruaja përballet me disa padi penale, midis të cilave edhe atë të falsifikimit të firmës së bashkëshortit, që figuronte në dokumentat që lejonin klinikën të vazhdonte mbarsjen, ashtu siç ishte rënë më parë dakord.
Top Channel