KLD: Shkelje me lirimin e Xhakjas

24/09/2012 18:00

Nga inspektimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka rezultuar se, ka pasur shkelje të rënda gjatë proçesit gjyqësor që liroi nga burgu Ilir Xhakjan, një vit më parë.

Inspektorët e KLD-së i referuan ministrit të Drejtësisë shkeljet dhe sugjerojnë proçedimin disiplinor të gjyqtarëve që e liruan vrasësin e kryekomisarit të policisë së Shijakut.

Në një deklaratë për shtyp, KLD-ja njoftoi se, pasi verifikoi ankesën publike mbi veprimtarinë e gjyqtarëve të Gjykatës së Durrësit, lidhur me shqyrtimin e akuzave penale në ngarkim të Ilir Xhakjas, konstatoi parregullësi që përbëjnë shkak për proçedim disiplinor të gjyqtarëve.

Në deklaratë thuhet se: “Zëvendëskryetari i KLD-së i përcolli mesditën e së hënës ministrit të Drejtësisë dokumentacionin përkatës dhe relacionin për vazhdimin e proçedurave ligjore në ngarkim të gjyqtareve”.

Hetimi mbi trupin gjykues, në veçanti ndaj gjyqtarit Neritan Tabaku, nisi katër ditë pasi Top Channel denoncoi faktin e moszbardhjes së vendimit të pafajësisë përtej çdo afati ligjor të shpallur për Ilir Xhakjan.

Tabaku dyshohej se për më shumë se 20 muaj nuk e kishte arsyetuar vendimin duke mbajtur peng gjykimin e të pandehurit në Apel.

Top Channel publikoi disa dokumenta që tregonin ankesën e prokurorit në Apel mbi vendimin e shkallës së parë, ku Ilir Xhakja shpallej i pafajshëm për vrasjen me dashje të shtetasit Qerim Maloku.

Kjo ankesë mban datën e 18 shkurtit 2011 dhe që prej asaj date çështja në Apel nuk kishte nisur për shkak të mosdisponimit në këtë gjykatë të vendimit.

Në vijim të verifikimeve që kishin nisur për të zbardhur faktin se si e fitoi lirine Ilir Xhakja në vitin 2011 nga gjykata, inspektorët e KLD-së morën në gjykatën e Durrësit dosjet e hetimit gjyqësor gjatë të cilit 38-vjeçari u shpall i pafajshëm.

KLD tërhoqi jo vetëm vendimin e gjykuar nga trupa e përbërë nga Neritan Tabaku, Fejzo Hysi dhe Ndue Gjura, por edhe materiale të tjera administrative për këtë çështje.

Top Channel