Irani censuron “Google” dhe “Gmail”

24/09/2012 17:00

Irani vendosi të bllokojë dy shërbimet kryesore të “Google”, atë të emailit (Gmail) dhe vetë motorin e kërkimit, në një lëvizje që vjen ndërsa në botën arabe janë ngjallur protesta të shumta për përdhosjen e figurës së Profetit Muhamed, në një film të publikuar së fundmi në rrjetin “Youtube”.

”Youtube”, gjithashtu i bllokuar nga Teherani, publikoi filmin “Pafajësia e Muslimanëve”, prodhuar në SHBA nga një regjizor egjiptian i krishterë, duke provokuar protesta të dhunshme dhe dhjetëra viktima në vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore.

Një mur kibernetik pengon aktualisht iranianët që të aksesojnë një sërë faqesh perëndimore.

Një zëdhënës zyrtar, lajmëroi në Televizionin Publik ditën e hënë se “Google dhe Gmail do të censurohen në rang vendi, deri në një lajmërim të dytë”.

Lajmërimi u njoftua edhe me mesazhe në celularët e ndryshëm.

Aktualisht, Teherani është duke u përpjekur që të krijojë një internet të personalizuar për të gjithë shtetasit, në mënyrë që të mos vuajë nga ndikimet e botës së jashtme.

Sipas autoriteteve, intraneti do të nisë të funksionojë brenda tre viteve. Megjithatë, pavarësisht censurës së ashpër, shumë iranianë janë në gjendje që të navigojnë në çdo faqe të mundshme interneti, nëpërmjet disa celularëve të sofistikuar të shitur ilegalisht në vend, në gjendje që të tejkalojnë muret mbrojtës të imponuar nga autoritetet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA