Barnat, spitali në krizë

24/09/2012 00:00

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” asnjëherë nuk i ka të gjitha
medikamentet e nevojshme. Drejtuesit e qendrës në vite kanë thënë se
përveç buxhetit që është i ulët në krahasim me rritjen e të sëmurëve dhe
rritjen e numrit të pacientëve që vijnë në këtë qendër, problem mbeten
edhe sigurimi i ilaçeve tepër të shtrenjta.

 Për këtë vit, qendra spitalore universitare “Nënë Tereza” i ka mbyllur të gjitha procedurat e tenderëve për blerjet e medikamenteve apo pajisjeve të tjera spitalore. Janë shpenzuar për ilaçe rreth 15 milionë dollarë”, ka sqaruar zyrtarisht administrata e spitalit “Nënë Tereza”.

Kështu, sipas legjislacionit në fuqi, barnat duhet të mbërrijnë deri 45 ditë pas afatit të mbylljes së blerjes. Edhe këtë vit, si vitet e kaluara, barnat vijnë një nga një, dhe për sëmundje të veçanta që u duhet kombinim barnash për trajtim, mjekët dhe pacientët duhet të mjaftohen me ato që ndodhen, në rast se nuk kanë mundësi financiare për t’i siguruar privatisht këto medikamente.

Spitali rrezikon krizën, për shkak se paratë tanimë kanë mbaruar dhe e vetmja mënyrë për të siguruar barna për pacientët që trajtohen nga Tirana, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi e Maqedonia është nëpërmjet blerjes së vogël. Hapësirat ligjore lejojnë blerje të vogla të medikamenteve deri në vlerën 300 mijë lekë të reja.

Më pas, blerjet e mëdha të produkteve mjekësore, trajtimeve, pajisjeve e ilaçeve nisin në janar dhe mbërritja e barnave të para të blera bëhet të paktën deri në mesin e muajit mars.

Mungesat më të mëdha të ilaçeve konstatohen në shërbimet e sëmundjeve të rënda, si onkologji, onkologji pediatrike, hematologji, pastrohepatologji, por edhe në shërbime të tjera të veçanta ku vlerësohen shpesh mungesat e pajisjeve mjekësore.

Kardiologjia, e cila është edhe një nga shërbimet me numrin më të madh të pacientëve, ka kërkesa të larta për pajisje mjekësore.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Vangjel Tavo, po bëhen përpjekje për ndryshime në ligjin e prokurimit të barnave për të ulur periudhën e mbërritje së barnave nga 45 ditë në më pak ditë, fill pas mbylljes së procedurave tenderuese.

Sakaq, sipas QSUT-së, sqarohet se nuk do të mungojnë asnjëherë gjatë kësaj kohe barnat e përdorura për shërbimin e urgjencave, për reanimacionin dhe kirurgjinë.

Qendra spitalore universitare “Nënë Tereza” aktualisht numëron rreth 1400 shtretër. Sipas analizave të viteve të fundit, rezulton se shfrytëzimi i tyre nga pacientët e Tiranës, të qyteteve të tjera, por edhe nga pacientë nga trojet shqiptare të jetë në masën 80 për qind. Në mbledhjen e bordit të Ministrisë së Shëndetësisë, zhvilluar në fillim të javës, është propozuar që nga 1400 shtretër që ka qendra spitalore universitare “Nënë Tereza” të ketë vetëm 1200 shtretër dhe 200 shtretër të shkurtohen. Propozimi është bërë në bord dhe është diskutuar mes pesë anëtarëve, ndërkohë që para miratimit përfundimtar të merren edhe mendimet e ekspertëve nga qendra spitalore universitare “Nënë Tereza”.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA