Artan Mullaj – Krahina e Vithkuqit është një mrekulli e pazakontë.
Aq e pazakontë, sa mund të thuhet që natyra e saj ngjan me parajsën. Si një gjallesë e gjelbër, ajo pëshpërit gjuhë tjetër dhe ligjet e krijimit në të janë shkruar ndryshe: Peizazhi “rrëqethës”, i cili mund të supozohet si një përkufizim fantazie; mes mrekullisë së tij, gjithkush mund të ndihet si një jashtëtokësor. Gjelbërim i pafund, natyrë e egër, e virgjër, ajër i freskët, qetësi absolute. Mbrëmjet janë të ftohta në verë dhe në vjeshtë me regëtima emocionesh. Në Vithkuq ora ka ndaluar mbase qysh nga Bizanti. Atje nuk ekziston fenomeni i ngrohjes globale, as krimi ordiner, as zhvillimi i tmerrshëm. Qetësia e bekuar, përzier me gurgullimën e ujërave kristal që rrjedhin gjithandej, ka në sfond puhizën e gjelbër të jetës; Lumi i metaltë i makinave mbytëse që ka pushtuar qendrat urbane këtu nuk ekziston as në përfytyrim. Në atmosferën e freskët pranverojnë aromat e jetës për hir të një nostalgjie përshtatjesh të cunguara, kurse oksigjeni nuk është thjesht oksigjen, është oksigjen i tejngopur, është ozon, me veti shëndetsjellëse.
Të meditosh, të mendosh, të gjykosh, të profetosh nga kjo pikë e gjelbër dhe e pastër e planetit, do të thotë të besosh se të gjitha këto janë një shkulm ngushëllimi të ndershëm larg andrallave të ditës dhe larg politikës. Të ndiesh, të synosh, të shijosh vetminë murgërore mes një qetësie të tillë, të shenjtë, do të thotë të besosh se të gjitha këto përbëjnë zgjidhjen dhe zgjedhjen e mënyrës për t’i shpëtuar ditës tjetër në një shoqëri të vështirë, të shkalafitur prej problemeve, varfërisë, zallahisë dhe klimës së keqe; do të thotë të kesh guximin e nevojshëm për të synuar gjykimin e pastër nga larg, nga neutraliteti, nga siguria, nga horizontet e normalitetit çka është diçka mjaft e shtrenjtë, pra edhe e rrallë në epokën tonë.
E dini ç‘do të thotë të jetosh për pak kohë mes magjisë së Vithkuqit? Do të thotë të jetosh një ëndërr! Do të thotë të provokosh, të zbulosh të fshehta të ekzistencës dhe t’i japësh një frymëzim hyjnor asaj ç’ka je dhe përse je këtu, në këtë vend, në këtë kohë dhe në këtë botë. Do të thotë të frymëzohesh si profet i ngjarjeve të mërzitshme që ndodhin atje, në qytet, në trafik, në katrahurë dhe pastaj të gjykosh edhe politikën e politikanët nga larg, të kuptosh prapësitë e ardhshme të paralajmëruara nga ajo dhe ata.
Shkurt edhe lumtur, Vithkuqi ngjan me një shenjtëri të vetmuar. Por, fatkeqësisht, mes kësaj shenjtërie, në mes të kësaj mrekullie është duke ndodhur diçka e shëmtuar. Në këtë copë të parajsës, po ndodh një maskaradë e paparë ekologjike: Orë pas ore, minutë pas minute, po asgjësohet barbarisht njëri nga pyjet më të mëdha e të rëndësishme të vendit, pylli i Sherës.
Kjo katastrofë, si një mallkim “në prag të shtëpisë” është vepër kolektive e banorëve të zonës. Këta banorë janë aq të varfër, saqë nuk ju intereson zhvillimi dhe fenomenet, por ata jetojnë gjatë dhe, gjenetikisht karakterizohen nga një ndruajte e virgjër ballë ndodhive të botës. Njerëz të varfër dhe të ashpër, ata janë si hallka të një zinxhiri sfidash që përsëriten në një luftë të stërmundimshme për ekzistencë. Shumica e tyre e siguron jetesën e vështirë me punë të mundimshme fizike. Por “djersa e ballit të tyre” është një ndershmëri “e pandershme”. Këtu fillon historia. Këta njerëz që mund të përfaqësojnë ende epokën e thjeshtësisë, ndërsa janë pjesë e një natyre të mrekullueshme, janë edhe problemi i saj më i madh. Fshatarët janë prishësit kryesorë të pyjeve të zonës, duke u bërë kështu autorë të një shkatërrimi të përditshëm dhe të përbindshëm ekologjik. Ditën, shumica e këtyre njerëzve sigurojnë jetesën e vështirë me kërcitjen e sëpatave dhe zhurmën e motosharrave të babëzitura, ashtu sikundër ndodh rëndom edhe çuditshëm nëpër shumicën e zonave malore gjithandej Shqipërisë. Kurse mbrëmjeve romantike, këta njerëz jetëgjatë, mungesën e ankthit dhe streseve të qytetit, e kompensojnë me një pasion mediokër të bërjes politikë, ndërsa mblidhen nëpër kafenetë e qendrës. Ekzistojnë edhe këtu klanet politike, majtas e djathtas, socialistët dhe demokratët, por ato kanë një butësi të shkrehur bri njëra-tjetrës, pasi në mbrëmje burrat janë të tejlodhur mbas një dite në kasaphanë. E ndërsa janë konstruktivë dhe tolerantë në debatet primitive politike, të patolerueshme janë ndryshimet e kufijve në pyje ku secili ka hapësirën e vet të shkatërrimit. Përditë gjëmojnë motosharrat, priten pyjet e mbetur, dhe përditë e përnatë makina të paligjshme e të palicencuara transportojnë kërcunjtë e vdekur të malit. Ky është mëkati i parajsës. Njerëzit, si pjesë e natyrës, kundër natyrës. Pushtetarët e zonës janë edhe ata vetë si “kërcunj të prerë” përpara pishave dhe aheve shumëvjeçare, ndërsa korrupsioni sharlatan i provincialeve funksionon në mënyrë po aq të përkryer sa edhe në mes të Tiranës.
Ekziston edhe këtu mynxyra e pushtetit. Zonës i mungojnë njerëz me arsim të lartë apo drejtues të aftë dhe ky fakt e thellon mungesën e civilizimit dhe vetëdijes intelektuale për ndërgjegjësim ndaj krimit ekologjik. Zakonisht rojtarët dhe inspektorët pyjorë pinë raki kumbulle përditë në klubet e fshatit dhe bëjnë sehir që andej makinat e ngarkuara me dru që zbresin në qytetin e Korçës.
Shkatërrimi i pyjeve është si kronikë e një krimi të paralajmëruar që nuk ka të ndalur. Pyjet shumë shpejt nuk do të ekzistojnë në këtë vend. Një e keqe më shumë në jetën e shqiptarëve, dhe si pas çdo të keqeje që ndodh në Shqipëri, askush nuk bën asgjë për ta shmangur. Ekzistenca e shtetit këtu ngjan me një fenomen që ndodh rrallë, si një mbarsëri e ngjizur vetëm në fushata elektorale. Pas zgjedhjeve, pas fituesve, katastrofës biologjike që nuk rresht kurrë, pushtetet e radhës i interferojnë katastrofën civile. Kuja në Vithkuq është therëse: Injoranca fshatare përzihet me pasione primitive në dëm të pasurisë kombëtare dhe ekologjisë. Këtu mungon instinkti i revoltës, por rrëzëllen pa pushim instinkti i shkatërrimit. Të gjithë janë ingranazhe të një mekanizmi që shumë shpejt do ta lënë parajsën pyjore pa parajsë. Ky mekanizëm do ta shndërrojë magjinë në një gjymtim të përjetshëm. Dhe, problemi madhor i radhës është se zonës i mungon perspektiva. Njerëzit nuk kanë si të sigurojnë jetesën veç duke prerë drurët në pyje. E ardhmja e të rinjve fshatarë vazhdon të nderet pa shpresë në këto male, mes drurëve të rralluar dhe të mallkuar, që shpejt do të shndërrohen në tym edhe hi.
Dihet që kjo babëzi shkatërruese kërcënon pyjet në të gjithë Shqipërinë, apo në “republikën pa pyje”. Le të themi që si gjithkund, edhe në Vithkuq ka një indiferencë perverse të shtetit mbi këtë realitet të pabesueshëm. Është një mallkim i gjelbër për Sali Berishën dhe bashkëqeveritarët e tij, ndërsa nuk i vihet fre këtij shfrenimi popullor për të shkatërruar natyrën deri në filizin e fundit.
Filozofia e sotme e zhvillimit të vendit, që është edhe formula e shkatërrimit gjithashtu, është shëmbëllim i pyllit të rralluar të Sherës në Vithkuq. Në këtë pyll të masakruar, në të cilin zhvillohet lufta e egër midis njeriut që pret edhe shkatërron, dhe natyrës që lind pyjet e i rrit ato me mundim, ngrihet një pikëpyetje e trishtuar. A mund të ndërhyhet në momentin e fundit që të shpresohet kthimi mbrapa i gjëmës.
Top Channel