Paraqitjet e Ranocchia-s, meritë e Materazzi-t

22/09/2012 13:05

Sezoni i ri për Andrea Ranocchia-n ka nisur më së miri. Mbrojtësi i Interit është një lojtar titullar këtë sezon dhe paraqitjet e tij kanë justifikuar besimin e trajnerit Stramacioni.

Shndërrimi i mbrojtësit italian, nga një sezon i dështuar në vitin e kaluar në një nisje perfekte në këtë të riun, që u vërtetua në ndeshjen kundër Torinos të javës së kaluar ku u shpall lojtari më i mirë në fushë.

“Sezonin e kaluar më dukej sikur gjithcka pozitive që kisha arritur më ishte shembur nën këmbë. Por tani kam rilindur dhe jam duke u argëtuar në fushë. Jam i bindur që do të vazhdoj kështu”, thotë vetë mbrojtësi për mediat italiane.
Mbrojtësi mban mbi shpinë numrin 23, ndoshta pak i rëndë për të, nisur nga fakti që para tij, ky numër është mbajtur nga Materazzi.

“Jam krenar që mbaj këtë numër dhe shpresoj ta meritoj me paraqitjet edhe në të ardhmen. Unë si Materazzi? Ndoshta më mungon pak nga ‘ligësia’ e tij në fushë”, thotë Ranocchia.

Fjalë të mirë për të kanë dalë edhe nga goja e vetë Marco-s. Kampioni i botës në vitin 2006 me Italinë dhe protagonisti i atij episodi që nxorri në “pension” Zinedinë Zidane, tha për mikrofonat e Inter Channel se gjithmonë ka patur besim tek Ranocchia.

“E lashë futbollin që ai të luante me fanelën time. Andrea po tregon atë që di të bëjë në fushë dhe kjo është përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që nuk besuan”, tha Materazzi.  

Top Channel