Votimet e amerikanëve në Shqipëri

20/09/2012 20:00

Ambasada amerikane ka organizuar takime për të shpjeguar se si mund të votohet në mungesë.

Sean Whalen është zëvendës konsull i ambasadës amerikane. i cili u tregon me detaje qyetarëve amerikanë të gjithë procesin, fillimisht me regjistrimin dhe më pas mënyrat e dërgimit të votës së tyre.

”Çdo shtetas amerikan gëzon të drejtën, njëkohësisht ka përgjegjësinë për të votuar. Ne si ambasadë amerikane jemi këtu për të mundësuar që çdo shtetasi amerikan t’i jepet mundësia për t’u njohur me procesin e votimit. Ne jemi shumë të kënaqur me interesimin e shumë qyetarëve amerikanë në Shqipëri, të cilët kanë ardhur duke folur me ne gjatë takimeve në Vlorë dhe Kukës. Njëkohësisht kemi marrë shumë mesazhe elektronike me kërkesa”, deklaroi zëvendëskonsulli.  

Ndërsa Sokol Mici, një shqiptaro-amerikan, shpjegoi ndjesinë e të qënurit pjesë e procesit të votimit në SHBA, ndonëse ndodhet në Tiranë: “Kjo është hera e dytë që marr pjesë në votime në SHBA, hera e parë kur isha atje, në 2004-n nëse nuk gaboj, ishte një ndjesi e veçantë. Ishte hera e parë me nënshtetësi tjetër. Tashmë është hera e parë me votim indirekt, në distancë si të thuash dhe kjo është një diçka shumë e mirë sepse të bën të ndihesh pjesë e jetës amerikane, ndonëse jam këtu”.

Tre janë hapat që ndërmerr një qytetar amerikan për të votuar në mungesë. Fillimisht, regjistrimi për të kërkuar një fletë votimi.

Më pas, zyrtari lokal i zgjedhjeve vendos nëse aplikanti plotëson kërkesat juridiksionale. Dhe hapi i fundit dërgimi fletës së votimit me postë elektronike, apo faks sipas ligjit të shtetit ku ka rezidencën votuesi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA