Petro Dhimitri dhe Vani Burda, fotografët e pavarësisë

20/09/2012 17:50

Kanë kaluar 99 vjet nga momenti i shkrepjes së kësaj fotografie. Kjo është fotografia e kremtimit të përvjetorit të parë të shpalljes së Pavarësisë, në Vlorën e 1913-s.

Një fotografi për të cilën kemi menduar e parë në librat e historisë si e Nëntorit të vitit 1912. Një fotografi e punuar, ndryshuar e retushuar në vite që gjithsesi gjithmonë na ka sjellë plakun e urtë Ismail Qemali më pranë.

Për foton është folur shumë, për fotografin pak, për të mos thënë aspak.

Pertro Dhimitri lindi në vitin 1886 në qytetin e Korçës. I njohur si Petro fotografi apo Petro shqiptari, me pushkë dhe aparat në dorë shëtiti gjithë jugun e Shqipërisë madje zhvilloi aktivitetine tij patriotik edhe në veri të vendit.

Sic thoshte edhe Mihal Grameno, ai mund të zgjidhte të jetonte kudo, por Petro Dhimitri u rikthye për të ringjallur shqiptarizmin. Studiuesja Eleni Laperi na tregon se sfondi në të cilin u rrit si fotograf justifikon punën e tij: “Petro Dhimitri u formua si fotograf në Stamboll. Ka punuar atje në një studio fotografike. Zhvillimi i fotografisë në Turqi ishte i fokusuar në fotografinë dokumentare dhe kjo ndikoi në formimin e Dhimitrit.”

Fotografia e tij ka një rëndësi të madhe për historinë e Shqipërisë: “Dhimitri ka fotografuar aktivitete të rëndësishme në jetën shoqërore shqiptare. Ka fotografuar edhe autoritetet franceze të qeverisë autonome të Korçës, që është fotoja e vetme e tyre. Ka fotografuar Abdyl Frashërin dhe Princ Vidin.”

Por çfarë ka mbetur nga gjithë fotografitë e Petro Dhimitrit. Iu drejtuam Arkivit Shtetëror. Endrit Musaj, përgjegjësi i sektorit audio-vizual na tregoi se vetëm pak fotogarafi janë këtu. Pjesa tjetër gjendet në koleksione personale të personave të apasionuar, por nuk përjashtohet fakti se shumë prej tyre janë hedhur apo dëmtuar sepse nuk njihej rëndësia e madhe që kishin.

“Në Arkivin Shtetëror gjenden foto shumë të rëndësishme. Këto foto janë dhuruar për Arkivin ose janë blerë”, shprehet Musaj.

Fotografia u zhvillua në qytetin e Korçës 4 vjet pas qytetit të Shkodrës, me emra të mëdhenj jo vetëm në nivel artistik. Lorenc Gliozheni si intelektual i qytetit të Korçës, por njëkohësisht edhe si anëtar i këshillit bashkiak për kulturën na tregon në këndvështrimin e tij për figurën e Petro Fotografit: “Vlera e këtij fotografi nuk po del si duhet. Unë shpresoj të hapet një sallë-muze që të bëjë të mundur që emra të tillë të dalin në pah dhe të rriten vlerat kulturore të qytetit të Korçës.”

Talentin dhe pasionin e Petro Fotografit nuk e trashëgoi asnjë nga fëmijët e tij. Ai ishte babai i tre fëmijëve: dy vajza dhe një djalë. Të gjithë emigruan e kanë ndërruar jetë në emigrim.

Marko Dhimitri, stërnipi i Petros, na tregon keqardhjet e tij në lidhje me rëndësinë që nuk i kanë dhënë figurës së tij: “Petro fotografin e njoh vetëm me të dëgjuar. Di që ka pasur arsenal shumë të madh fotografish dhe nuk di ku kanë përfunduar. Ne nuk kemi asnjë fotografi të tijën. Unë do kisha dëshirë të tregoja më shumë dhe të bëhej një emision i veçantë për të sepse është një patriot i madh.”

Petro Dhimitri na solli të vetmin imazh të momentit më të rëndësishëm historik, atë të kremtimit të 1 vjetorit të Pavarësisë.  Prej vitit 1953, ai prehet në varrezat e qytetit të Korçës në parcelën e patriotëve, ku për ironi të fatit varri i tij është jo vetëm i dëmtuar, por edhe pa fotografi.

Portreti i Vani Burdës

E prekim çdo ditë punën e tij edhe pse nuk e njohim. Vani Burda, autori i fotos së Ismail Qemalit, stampuar në kartëmonedhat 500 lekëshe që përdorim sot, pa dyshim ka një meritë të madhe në ruajtjen e imazhit të figurës më të shquar të pavarësisë së Shqipërisë.

Burda aktivitetin e tij e nisi fillimisht në shoqëritë patriotike të Bukureshtit ku vëmendje të veçantë i kushtoi figurës së Naum Veqilharxhit. Studiuesja Eleni Laperi na tregon per formimin e tij: “U formua si fotograf në Rumani. Daja i tij e mori atje duke e integruar në grupet patriote në Bukuresht. Vani Burda mori atje kombinimin e fotografisë me tekstin.”

Dashurinë e tij për vendlindjen dhe fotogarfinë e ushqeu jashtë atdheut. Vani Burda solli prej Stambollit në Shqipëri dhe shpërndau në gjithë kolonitë shqiptare fotografitë e vëllezërve Frashëri.

Në vitin 1912 Vani Burda ishte pjesë e delegacionit shqiptar të Bukureshit që vinin për të festuar shpalljen e pavarësisë. Në rrugëtimin drejt Vlorës, Burda fiksoi një moment të këtij udhëtimi historik, ku delegatët janë duke pushuar me armë në dorë nën një ullishte dhe në sfond është flamuri me shqiponjën dykrenore. Fotografi korçar, më 1920 realizoi polifoton e parë shqiptare, kushtuar gjashtë dëshmorëve të Orman Cifligut. Ky vit përkon me kthimin e Vani Burdës në Korçë, ku hapi studion e vet fotografike.

Në Korçë fotografon ngjarje, personazhe e njerëz të thjeshtë. Mes dhjetëra fotografive të tij që ruhen edhe sot përmendet çeta patriotike e Hafiz Ali Korçës “Liri a vdekje” e vitit 1909.

Si sfond të preferuar në studion e tij Burda ka përdorur një pikturë që synon të paraqesë Krujën e Skënderbeut dhe kalanë e qytetit. Përveçse si fotograf, Burda u shqua për koleksionimin e dokumenteve me vlerë historike të kohës së pushtimit osman, si akte noteriale, leje armësh, monedha e kartmonedha. Fondi i këtij fotografi gjendet i shpërndarë në Arkivin Qendror të Shtetit, në koleksione private si dhe nën pronësinë e pasardhësve në Korçë e Durrës.

Vani Burda vdiq në qytetin e Korçës në vitin 1949, në gjendje të mjeruar ekonomike si cigareshitës në qendër të qytetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA