Njerëzit më të pasur të Amerikës

20/09/2012 00:00

Më të pasurit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të njëjtët persona të vitit të kaluar, por që sot fitojnë më shumë.

Sipas klasifikimit të pasurive të hartuar nga revista ‘Forbes’, Olimpi i dollarëve dominohet ende nga pronari i ‘Microsoft’, Bill Gates.

Sipas revistës, pasuria e tij është ngjitur në 66 miliardë dollarë, nga 59 miliardë që gëzonte një vit më parë.

Medalja e argjendtë i mbetet mjeshtrit të financave, Warren Buffet, me 46 miliardë dollarë kundrejt 39 miliardëve që kishte fituar një vit më parë.

Lista vazhdon me vëllezërit Charles e David Koch, ndërsa kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg renditet i dhjeti me 25 miliardë dollarë pasuri.

Lista vazhdon me themeluesin e rrjetit online Amazon, Jeff Bezos, Sergey Brin dhe Larry Page, të ‘Google’, me nga 20.3 miliardë secili.

Pasaniku George Soros është i 15-ti dhe kënaqet me një pasuri prej 19 miliardë dollarësh, i ndjekur nga Steve Ballmer dhe Paul Allen, në vendet 19 dhe 20.

Manjati australian i mediave, Rupert Murdoch, perandoria e të cilit është goditur rëndë nga skandalet e përgjimeve, ka zbritur në vendin e 36-të, me 9.4 miliardë dollarë.

Gjërat nuk po shkojnë mirë edhe për themeluesin e Facebook, Mark Zuckerberg ka zbritur në vendin e 36-të me 9.4 miliardë dollarë pasuri, e reduktuar ndjeshëm për shkak të dështimit të Facebook në bursë.

Mes fytyrave të njohura të spektaklit është regjisori Steven Spielberg, i 125-ti. Biznesmeni i njohur amerikan Donald Trump renditet në pozicionin e 128, me 3.1 miliardë dollarë.

Ndërsa Oprah Winfrey, mbretëreshë e talk show-ve dhe biznesmene, ndodhet në vendin e 151-të, me 2.7 miliardë, pak vende poshtë David Rockefeller.

Top Channel