Të gabosh është njerëzore dhe kjo vlen edhe për Apple. Kompania më e vlefshme në botë, hodhi në treg IOS6 me hartën e re udhëzuese për përdoruesit e saj, kudo në botë.

Por gabimet janë aq “trashanike” në të sa në rrjet ka nisur ironizimi masiv ndaj produktit të ri të “Mollës”. Aplikacioni funksionon në mënyrë të pavarur dhe në disa vende nuk ka nevojë që përdoruesi të jetë i lidhur me internetin.

Por kur vihet në punë pa shërbimin e internetit, sistemi çorientohet dhe “gafat” janë të mëdha. Kështu, përdoruesit e aplikacionit në Angli vunë re se nëse “kërkoje” stacionin Paddington, nga ku nisen të gjitha rrugët që të cojnë në aeroportin Heathrow të Londrës, dmth një stacion tepër i rëndësishëm dhe nyje trafiku, rezultati ishte Paddington Street, një rrugë e vogël në distancë të largët nga destinacioni.

Më keq akoma për banorët e Stratfordit dhe Solihull-it, po në Londër. Qytezat e tyre ishin “zhdukur” fare nga ky planet, ndërsa në Irlandë, Dublini i është “shtuar” një aeroport i ri dhe kopështi zoologjik ishte zhvendosur tek “Temple Bar”, disa kilometra larg vendndodhjes reale.

Aq problematike ishte ngatërresa në Irlandë sa Ministri i Drejtësisë, Alan Shatter telefonoi “Apple” për të njoftuar për gafën e rëndë.

Vetë kompania nuk ka dalë me asnjë njoftim mbi cështjen në fjalë, por pritet që në ditët në vijim gjithcka të korrigjohet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA