Mou: Kam skuadër!

19/09/2012 00:00

Mourinho rikthen elozhet për skuadrën e tij. Pas fitores dramatike me Manchester City-n në ndeshjet e para të fazës në grupe të Ligës së Kampioneve, portugezi tha se të tijtë e meritonin plotësisht fitoren.

“Po u rikthyem të jemi sërish një skuadër. Ajo që nuk kuptoj është se përse bëjmë një lojë të tillë kundër City-t dhe Barcelonës dhe s’mund ta bëjmë ndaj Seviljes? Sonte nuk vuajta shumë. Vuaj më shumë kur skuadra nuk është e përqendruar në lojë. Humbja ndaj City-t do të ishte katastrofë duke parë që ishim e vetmja skuadër që kërkuam fitoren gjatë gjithë 90 minutëshit”, tha Mou.

Në ndeshje u vu re mungesa e Sergio Ramos, një lojtar që sezonin e kaluar shihej i pazëvendësueshëm. Mediat spanjolle nisën të flasin për masë disiplinore të Mourinho-s ndaj tij pas humbjes me Seviljen. Por vetë portugezi e mohoi dicka të tillë duke deklaruar se gjithcka kishte të bënte me një zgjedhje taktike në fushë.

Ndryshe nga Mou mendon trajneri i City-t, Roberto Mancini. Nuk duhej ta kishim humbur këtë ndeshje, tha ai. Ndoshta bëmë gabim që u tërhoqëm shumë mbrapa. Luajtëm një pjesë të parë më të mirë se Reali, ndaj e meritonim një rezultat pozitiv.

Tekniku italian shtoi se nuk është mungesa e eksperiencës ajo që ndëshkoi skuadrën e tij, por gabimi që u tërhoqën shumë pas golave të avantazhit.

Top Channel