Propozimi i Imamit të Egjiptit, Ahmad el Tayyeb që blasfemia të shndërrohet në vepër penale ndërkombëtare, duke se ka gjetur mbështetjen e parë mes vendeve perëndimore.
Sipas agjencisë egjiptiane të lajmeve, Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius është shprehur i gatshëm të mbështesë nismën e Kajros për t’iu drejtuar Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të vendosur një rregull ndërkombëtar në ndëshkimin e blasfemisë.
Fabius ndodhet për një vizitë zyrtare në Kajro, ndërkohë që në Paris, një revistë javore ka paralajmëruar botimin e disa karikaturave të profetit Muhamed në numrin e saj që do të dalë këtë të dielë.
Botimi i tyre mund të përshkallëzojë protestat fetare në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, edhe kaq të ndezura pas filmit “Pafajësia e Muslimanëve” të hedhur në treg nga një kopt egjiptian në Shtetet e Bashkuara.
Vargu i gjatë i reagimeve të ashpra ndaj filmit ofendues për Profetin Muhamed, ngrihet tani në nivel institucional.
Prokuroria e Përgjithshme Egjiptiane ka lëshuar një mandat-arresti në emër të shtatë të krishterëve koptë, mes të cilëve dhe personi i menduar si regjisori i filmit, Basseley Nakoula dhe Terry Jones, priftit protestant që dogji në 2010-tën kopje të Kuranit.
Organi i akuzes shpjegoi se në total janë tetë persona, shtatë burra e një grua që akuzohen për dëmtim të unitetit kombetar, për fyerje dhe sulm publik ndaj islamit si dhe përhapje të informacioneve të rreme. Dënimi maksimal për akuzat e ngritura ndaj tyre është ai me vdekje.
Filmi u bë shkas për protesta të dhunshme para selive demokratike perëndimore, vecanërisht atyre të Shteteve të Bashkuara. Viktima e parë e dhunës u bë ambasadori amerikan në Libi, Chris Stevens. Stevens u vra, bashkë me 3 diplomatë dhe përfaqësues të tjerë të Uashingtonit në qytetin e Bengazit.
Ndërkohë Al Kaeda ka bërë thirrje që të sulmohen të gjitha ambasadat amerikane në të gjithë botën nën “shembullin” e Bengazit. Në Somali, Sudan dhe Tunizi u sulmuan edhe përfaqësitë diplomatike të Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe.
Top Channel