Mats Hummels, objektivi i Barcelonës

18/09/2012 16:00

Barcelona kërkon të përforcojë repartin e mbrojtjes dhe në merkaton e verës ka si objektiv kryesor Mats Hummels.

Sipas mediave gjermane, qendërmbrojtësi i Borussia Dortmund është më i pëlqyeri nga drejtuesit katalanas edhe pse sapo ka rinovuar kontratën me klubin verdhezi.

Në qershor Hummels e zgjati deri në qershor 2017 kontratën me kampionët në fuqi të Bundesligës dhe ka shprehur disa herë dëshirën për të luajtur me klubin e tij aktual për shumë vite.

Për këtë sezon, Barcelona ka blerë vetëm Jordi Alba për repartin difensiv edhe pse pritej një qendërmbrojtës pas problemeve me dëmtimet që pati sezonin e kaluar.

Cmimi i Mats Hummels është 24 milionë euro. 23-vjeçari është rritur në ekipet zinxhirë të Bayern Munchen dhe debutoi në Bundesligë me bavarezët në vitin 2007. Luajti vetëm një ndeshje dhe në janar të vitit 2008 u tranferua tek Borussia Dortmund ku shpalosi të gjithë potencialin e tij.

Me verdhezinjtë ka fituar dy tituj kampion dhe një Kupë Gjermanie. Me kombëtaren e Gjermanisë ka debutuar në vitin 2010 dhe në Euro 2012 ishte titullar në të gjitha takimet.

Top Channel