Java e turpshme e Superligës

18/09/2012 00:00

Në mënyrë të turpshme është mbyllur java e tretë e Superligës, me një ndeshje si Kastrioti-Laçi që u mbyll me rezultatin 0-3.

Një ndeshje-estradë në kushtet e frikshmërisë së nivelit dhe papërgjegjshmërisë ku po shkojnë klubet shqiptare, por edhe Federata Shqiptare e Futbollit, e cila me sa duket veç kombëtares po humbet akoma më shumë terrenin edhe në kampionat.

Gola të tillë, reagime të skuadrave e lojtarëve që po largojnë gjithnjë e më shumë tifozë nga stadiumet e askush nuk reagon, asnjë masë nuk merret për këto turpe që bëhen.

Një ndeshje futbolli burrërore që po e shndërrojnë në balet, në tolerime të pafund dhe interesant gjithkush i di mirë se kush janë, spostimet e ndeshjeve ditën e premte apo të shtunë, sigurisht i japin më shumë frymëmarrje këtyre skuadrave që ta gjejnë emrin e tyre edhe në kompanitë e basteve ndërkombëtare, ndryshe nga fundjava normale, e shtuna apo e diela, kur kampionatet më të mëdha europiane nuk i lënë hapsirë atyre.

Gjithësesi, mesa duket as FSHF-së dhe as atyre tifozëve që nuk e dinë as vetë se përse gëzohen për gola të falur, nuk po i bën më përshtypje.

Top Channel