Rastësia është një prej elementëve të përditshëm të jetës sonë. Disa herë, ajo është fatlume dhe disa herë jo. Emisioni i “Pasdites”, i dedikoi kohën ditën e hënë pikërisht të qënit në vendin e duhur në momentin e duhur, të atyre njerëzve që kanë arritur të shpëtojnë jetë të tjera njerëzish.

Nëpërmjet të ftuarish në studio, lidhjesh direkte dhe materialesh të përgatitura, për rreth një orë në studio u zhvillua një debat interesant mbi ngjarje konkrete të ngadhënjimit të njeriut mbi vdekjen.

Klodiana Turhani, psikologe, nisi e para debatin në studio. “I shpëtuari përballet me ndjesinë që jeta i është vënë në rrezik. Ndjesia e parë është një lloj habie, një lloj mpirje në është ngjarja e vërtetë apo jo. Shpesh herë, në profesionin tonë themi se trauma vjen më vonë, siç njihet në gjuhën mjekësore stresi post-traumatik. Ndjesia tek ai që shpëton varet nga inercia e situatës. Nëse ëstë një profesionist i trajnuar, pa dyshim që ka një përjetim më të qetë të situatës nga një njeri që ndodhet rastësisht në një situatë ekstreme. Megjithatë, një studim i realizuar së fundmi nga disa ekspertë amerikanë, të cilën inskenuan një incident në shkallët e një aeroporti, tregoi se shumica e njerëzve që vinin në ndihmë reagonin në fraksion sekondi. Kjo do të thotë se dhënia e ndihmës zakonisht nuk përpunohet në mendime, nuk shihet përfitimi apo rreziku, ajo është shumë më spontante nga sa shumë prej nesh mund të mendojë”.

Zenepe Luka, një veteran e gazetarisë së terrenit, nga ana e saj akuzoi mungesën gjithmonë e më të madhe të humanizmit, midis njerëzve që janë gjithmonë e më të prirur të ofrojnë asistencën e tyre në raste të nevojës së dikujt tjetër. “Nuk besoj tek rastësia, në kuptimin që ajo është e pashpjegueshme dhe shpesh herë një mrekulli. Të rastësish kur një njeri ka nevojë është fat për të dy, por nëse je në momentin e duhur kur dikush ka nevojë dhe nuk ke humanizmin dhe guximin, nuk mendon asnjë pasojë, pa dyshim që nuk do e japësh ndihmëm e do të largohesh”.

Një person përgjegjës për shumë jetë të shpëtuara, së bashku me repartin e tij është Luigj Vathi, komandanti i forcave special të “Renea”-s. “Efektivat e “Renea”-s janë mësuar me sakrifica të mëdha për të shpëtuar jetën e tjetrit. Motoja jonë është kush shpëton një jetë shpëton njerëzimin. Rastet e ndihmës sonë janë të shumta, por do të veçoja atë të vitit 2004, kur 84 persona u shpëtuan nga mbytja e një trageti të linjës Sarandë-Korfuz. Efektivat ndodheshin në zonë për trajnim, kur papritur stërvitja e tyre u bë reale. Ishte një rastësi fatlume, që shpëtoi shumë veta nga anija që brenda dy orësh u fundos”, deklaroi komandanti.

Në javët e fundit, shtypi shqiptar solli historinë e një heroi të vërtetë, e një punonjësi sigurie të një banke në Pukë, që arriti të shpëtonte një fëmijë i cili ra nga kati i tretë i një ballkoni. Nëpërmjet një materiali filmik, edhe Aleksandër Laçi mbërriti në studion e “Pasdites”, për të treguar eksperiencën e tij të rrallë të shpëtimit të një jete. “Rreth orës 12 po bëja kontroll rutinë tek bankomati, kur pashë në tokë një kukull. Fill pas saj u hodh edhe një automatik. E kuptova që ishte një fëmijë. Në atë moment në dritare u shfaq Aldo, me kokën jashtë. Për momentin u tërhoq, punë sekondash kur u zbarrit me këmbë poshtë dhe u kap në pragun e dritares. E dija në atë moment që do të binte dhe për disa sekonda duart nuk e mbajtën më. Ra në fillim në një tel rrobash të katit të dytë, që e bëri të rrokullisej pak më poshtë. E kapa me duart nga lart, kisha frikë ta prisja poshtë mos e këpusja midis apo mos më shpëtonte nga duart dhe përplasej në beton. U përpoqa ta largoja sa më shumë nga betoni dhe trotuari dhe fatmirësisht ia dola”.

Për babain e 3-vjeçarit të shpëtuar, Aleksandri është një hero. “I jam shumë borxhi, sepse më bëri një dhuratë të madhe. Një herë ishte Zoti ai që më fali djalin dhe herën e dytë ishte Aleksandri”.

Ironikisht një ish-portier i skuadrës së qytetit, gjithsesi zoti Laçi gjithsesi nuk e përjetoi lehtësisht këtë ngjarje. “Të paktën dy netët e para nuk flija dot natën dhe në ditët në vazhdim gjithashtu vuaja nga përjetime të këqija. Nuk mund të harroja dot momentin në të cilin iu shkëputën duart nga dritarja dhe ra”.

Psikologia në studio dha një shpjegim për këtë mënyrë përjetimi, ndonëse të një ngjarje me fund të lumtur. “Shpjegohet se kur shpëton një jetë njerëzore, diçka që nuk të ndodh çdo ditë, njeriu ngre shumë pyetje. Fillon pyet mos vuri në rrezik jetën e tij, por në ato momente përfshihesh aq shumë sa që nuk mendon më për këtë. Është edhe pak një kufi kulturor ai i gatishmërisë për të ndihmuar, lidhet me formimin, personalitetin, sa flitet në familje për ndihmën ndaj tjetrit. Instikti formohet, pasi ne jemi qënie folëse, që strukturohemi në bazë të fjalës, kontekstit familjar e social. Zotëria që ofroi ndihmën pati një sërë faktorësh dhe komponentësh mendorë që e ndihmuan atë. Nga ana tjetër, mbetja pa gjumë tregon se për të ngjarja ka qenë shumë e thellë, një ballafaqim real i faktit se jeta mund të vijë dhe të ikë me të vërtetë shumë shpejt”.

Nga ana e tij, në familjen e zotit Vathi dhe efektivëve të tjerë të “Renea”-s, netët pa gjumë janë ato të familjarëve të shqetësuar se çdo moment mund të ndodhë ndonjë incident që t’u kushtojë jetën. Pasi një material filmik tregoi pamje nga momentet e aksionit të efektivave të këtyre forave special, komandanti i “Renea”-s tregoi disa operacione të tjera të momenteve kulmore të repartit të tij. “Të gjithë e mbani mend rastin e një të moshuari që ishte ngjitur mbi një shtyllë për t’u vetvrarë. “Renea” ndërhyri kur u pa se ai nisi të dridhej dhe se mund të binte nga çasti në çast. Në aksion, një efektiv i yni u plagos, duke treguar se ishte i gatshëm të sakrifikonte jetën e tij për një jetë tjerë. Një tjetër shpëtim që ka sjellë shumë duartrokitje ka qenë ai i zbritjes me litar nga kati i dhjetë i një efektivi, së bashku me një fëmijë 5-vjeçar që kishte mbetur brenda një pallati në flakë. Në rëniet në humnerë dhe aksidentet rrugore ka pasur raste të tjera të pafundme shpëtimi. Ndryshe nga një qytetar, një efektiv “Renea” nuk ka luksin të mendojë në duhet të ndërhyjë apo jo. Ai do të ndërhyjë gjithmonë kur jeta e një qytetari të jetë në rrezik”, përfundoi komandanti i trupës speciale.

Top Channel