Vedat Xhymshiti apo “Vudi” si e thërrasin miqtë e tij është 26 vjeç, fotograf profesionist nga Gjilani i Kosovës.

Ai ka studiuar në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomaci. Është specializuar në mbulimin e ngjarjeve të natyrës politike dhe sociale rreth Europës Juglindore dhe Lindjes së Mesme.

Një djalë që dashuron teatrin e ka marrë mësime në këtë fushë, tashmë është reporter i luftës në zonat më të nxehta.

Ka qenë në territoret palestineze, në Gjeorgji gjatë konfliktit të shtatorit të vitit 2008 dhe do të rikthehet sërish në Siri.

Ka këndvështrimin e tij për atë që po ndodh në këtë vend dhe thotë se sipas asaj që ka parë dhe ka prekur me dorë ai është një konflikt që ka si palë fuqitë e mëdha, si fushë beteje Sirinë dhe si viktima, si gjithmonë njerëzit e  pafajshëm dhe të pambrojtur.

Ai vetë ka qenë në Alepo dhe zona të tjera konfliktuale, ku jeton si vendasit që të përjetojë ndjesinë e luftës deri në fund.

Është gjendur përballë situatave dramatike kur i është dashur të verifikonte me duart e tij trupat e femijëve të vrarë e të prerë apo edhe kur ka humbur shumë nga kolegët e tij në këtë luftë, për të cilën ai thotë se jo të gjithë ata që bëjnë punën e tij në këto vende janë aq me fat sa të tregojnë historinë e tyre të dokumentuar.

Që nga fillimi i këtij konflikti kanë humbur jetën në Siri 19 gazetarë. Pavarësisht gjithë vështirësive, ai ka arritur të mbijetojë dhe e ka treguar për botën mbarë gjithcka ka parë aty.

Është ndodhur disa herë nën bombardime, gjithashtu është qëlluar dy herë me snajper. Eshtë mrekulli që ai i ka mbijetuar për të përmbushur misionin e tij.

Reporteri i vetëm shqiptar në Siri e ka publikuar punën e tij në organizatat e shumta të lajmeve duke përfshirë, “Bloom berg”, “Neë York Times”, “Der Spiegel”, revista “Time”, “London Daily Telegraph”, “The Guardian”, etj.

Nga viti 2008 – 2011 ka punuar për “US-Polaris Images”, “US-Zuma Press”, “US-SIPA Press”, “CORBIS Images and Demotix.com”.

Aktualisht punon si profesionist i lirë për Agjensi të fotove të ndryshme Europiane dhe Amerikane.

Vedati  e ka zgjedhur këtë profesion sepse brenda tij ndien se ka një tronditje të vlerave njerëzore, se shpesh situatat, personat dhe ajo çka thuhet në media nuk është ajo që duket, nuk është e vërteta dhe se kurbanet njerëzore nuk duhet të flijohen më në këtë shekull sikur të ishim në mesin më të errët të mesjetës.

Pavarësisht gjithçkaje që ka parë e ka përjetuar beson tek Zoti edhe pse në momente të caktuara e ka bërë pyetjen…Ku je ti tani që këta njerëz kanë nevojë për ty?  

Përgjigja e shumëpritur sipas tij  do të ishte një botë pa luftra, një botë ne te cilën kjo Siri e sotme e zhytur në konflikt dhunë e lakmi shtetesh te panginjur do të shndërrohej në një shtet ku njerëzit do të jetonin së bashku si vëllezër, si pjesë e të njëjtës racë njerëzore.

Top Channel