Fitojnë Flamurtari, Shkumbini dhe Vllaznia

16/09/2012 20:55

Për herë të parë në javën e tretë të Superligës, Flamurtari, Shkumbini dhe Vllaznia marrin tre pikët në këtë kampionat.

Flamurtari ka fituar në transfertën e vështirë të Beratit. Këtë herë nën drejtimin e trajnerit spanjoll Hulian Rubio, skuadra vlonjate fiton 2-0 në stadiumin e boshatisur të Tomorrit, i cili ishte i pezulluar. Që në minutën e dytë Pepa zhbllokon takimin, për t’i lënë rradhën në fundin e pjesës së parë Lenës, i cili shfrytëzon mjaft mirë një asist perfekt të Memellit. Me shifrat 2-0 të 45 minutave mbyllet i gjithë 90-minutëshi në Berat, ku skuadra vendase regjistroi humbjen e tretë rradhazi.

Fitoren e parë në këtë javë ka gjetur edhe Shkumbini. Peqinasit në fushën e tyre kanë fituar 1-0 përball Besës. I biri i trajnerit Gugash Magani, ka shënuar edhe golin e fitores. Endriti zhbllokon gjithcka në minutën e 56-të, një gol që rezultoi ai i fitores për vendsasit.

Në të njëjtën ditë duket të ketë filluar kthesa edhe për Vllazninë e drejtuar nga Shpëtim Duro. Skuadra shkodrane regjistroi fitoren e parë në javën e tretë të Superligës pasi mundi brenda Luftëtarin 3-0. Pasi kishin marrë vetëm një pikë në dy ndeshje kuqeblutë kanë bindur në këtë javë të tretë duke mundur një nga skuadrat më në formë të këtij fillim sezoni si ajo gjirokastritja. Dy golat e kapitenit Smajli dhe më pas rumuni Dragoi i japin frymarrje Vllaznisë, e cila ishte kryqëzuar për rezultatet e lojën jo të mirë të ndeshjeve të para.

Ndërkohë Luftëtari me 10 lojtarë që pas 45 minutave të para, pas daljes me kartonin e kuq të Ramadanit, nuk arriti të bëj asgjë deri në mbyllje të 90-minutave, duke u rikthyer me këmbë në tokë pas fitores 4-1 të javës së dytë të Superligës me Teutën.

Top Channel