ARTAN LAME – Tri ditë më parë një ambasador amerikan u vra gjatë
protestave të masave të indinjuara për një film me frymë antiislame.
Tashmë është bërë e modës që, sa herë që bëhen publike ngjarje apo
elemente që mund të interpretohen si antiislame, menjëherë shpërthejnë
të tilla protesta.
Fillojnë pak e nga pak në një zonë të caktuar ose edhe në zona të ndryshme dhe pastaj përhapen e forcohen ditë pas dite, derisa ezaurojnë gjithë ngarkesën e tyre duke djegur e duke vrarë.
Lindja është e mbushur me njerëz të varfër, masa që vuajnë për bukën e gojës, njerëz që e sigurojnë jetesën duke punuar nga 12 e 14 orë në ditë. Në Lindje sistemi arsimor është shumë i prapambetur (edhe atje ku është), sindikatat dhe organizime të tjera të llojit nuk ekzistojnë, gjysma e shoqërisë – gratë – janë të përjashtuara nga jeta shoqërore, fëmijët i shtrohen punës që 10 vjeç, e megjithatë sapo dikush në Holandë shkruan një vjershë, sapo në Danimarkë një tjetër boton një karikaturë, papritur të gjitha këto masa inerte dhe të paorganizuara, njëherësh bashkohen dhe veprojnë si të kronometruara. Dhe këtu nuk flasim për hapësira prej 20 a 30 kilometrash, nga Shijaku në Kavajë apo nga Përrenjasi në Librazhd, por për hapësira prej mijëra kilometrash, nga Libia a Palestina e deri në Pakistan a Sudan. Për të mos folur këtu për protestat e atyre miliona myslimanëve që, pasi jetojnë prej vitesh si emigrantë në Perëndim, zgjohen një ditë të bukur si antiperëndimorë të thekur.
U ngrit një furtunë e paparë në të gjithë Lindjen teksa disa ushtarë amerikanë kishin djegur disa kopje të Kuranit. Ushtarët thanë se nuk kuptonin asnjë fjalë nga ato libra dhe se nuk e dinin që ishte Kurani. Megjithatë, milionat që kishin duruar gjithfarë lloj abuzimesh e shtypjesh nga sundimtarët e tyre, papritur u revoltuan në rang botëror ndaj një gjesti të tillë të paqëllimtë.
Pastaj në Pakistan një imam denoncoi një vajzë 14-vjeçare të krishterë dhe për më tepër me të meta mendore, se e kishte parë të digjte fletë nga Kurani. Sërish filluan protesta pa fund të myslimanëve të fyer në besim, madje u kërkua të digjej e gjallë vogëlushja. Por pastaj papritur u zbulua se imami denoncues i kishte djegur vetë fletët e Kuranit me qëllim që të akuzonte vajzën e pafaj dhe që për pasojë të ndodhte ajo që ndodhi. Por pas kësaj nuk pashë që milionat që kishin dashur të linçonin vajzën e vogël, tani të protestonin për të dënuar imamin gënjeshtar. Nuk pashë asnjë mysliman që të revoltohej nga gjesti i turpshëm i këtij imami, nuk u bë asnjë protestë kundër tij nga vetë besimtarët e xhamisë së tij që rrezikuan të shkatërronin e digjnin një krahinë të tërë të bazuar në gënjeshtrën e imamit.
Për të mos i hyrë më tej diskutimit teologjik, po vetë ky imam, që bën një veprim të tillë duke u futur njerëzve sherrin me gënjeshtra, a ka frikë nga Zoti? Më kujton atë priftin e Kosinës që hapte varret e fshatit dhe i shiste kockat e pleqve dhe kalamanëve për ushtarë grekë të vrarë në luftë. Edhe ky s’ka se si të besojë në Zot, se rregulli i parë i çdo besimi fetar ka qenë është e do të jetë, mallkimi i gënjeshtrës.
Është e padiskutueshme që konflikti aktual më i madh është ai midis qytetërimeve dhe vlerave të ndryshme që përfaqësojnë këto qytetërime. Kjo për sa u përket elitave kulturore dhe religjioze të Lindjes, të cilat pasi ndiejnë dhe përjetojnë së brendi frustracionin e prapambetjes, paaftësinë për të arritur nivelet e qytetërimit perëndimor, përpiqen të gjejnë ngushëllimin te fanatizmi fetar; dhe shpëtimin te hakmarrja sa herë u jepet rasti duke sulmuar Perëndimin. Të gjitha turmat milionëshe që i ndjekin e u vënë pas janë thjesht masa fatkeqe që pasi kanë kaluar qindra vjet nën shtypje e shfrytëzim, tani në epokën e mjeteve të komunikimit masiv manipulohen lehtësisht
Kur flas për përplasje qytetërimesh nuk e kam fjalën për qytetërime religjioze. Qytetërimi Perëndimor vërtet ka në rrënjët e veta krishterimin, por ky qytetërim sot është tërësisht jofetar. Feja e krishterë e ka bërë luftën e vet me qytetërimin dhe e ka humbur atë që në fund të Mesjetës, duke i hapur udhë kapitalizmit. Ndërsa religjioni tjetër i përbotshëm, ai islam, ende nuk e ka bërë këtë përballje me shekullarizmin. Dhe si për ta komplikuar problemin, në këto momente kaq delikate, botës islame i mungojnë autoritetet universale, qoftë religjioze (Kalifati) e qoftë shekullare (Perandoria). Në mungesë të këtyre autoriteteve, kushdo dhe çfarëdo fraksioni merr përsipër të interpretojë si të dojë, e të ekstremizojë sa të dojë. Por sa herë që një besim fetar shkon drejt ekstremizmit, ai humbet shansin të bëhet fe e të gjithëve, duke rrezikuar të kthehet në sekt fanatikësh dhe si i tillë me kohë të margjinalizohet në skajet e shoqërisë.
Por ajo që ndodhi në Libi, ka edhe një tjetër element shëmtimi brenda. Ambasadorët janë përfaqësues të paprekshëm dhe të padhunueshëm të vendeve të tyre në vendet ku shkojnë. Janë parime të shenjta këto, të fiksuara prej mijëra vjetësh në kodet morale të të gjithë qytetërimeve, janë edhe rregulla të fiksuara në të gjitha konventat ndërkombëtare. Për më tepër në Lindje, ku parimet e mikpritjes, të mikut të ardhur në derë, kanë qenë edhe më të forta se në Perëndim. Që nga kohët e Hamurabit e të Përrallave të 1001 netëve, udhëtari që ka hyrë në derën tënde, paraqitet si i shenjtë dhe i paprekshëm.
Parime të tilla në marrëdhëniet midis shteteve kanë mbijetuar deri vonë ngado. Kujtoj këtu se edhe Hitleri, ndërsa i shpallte luftë Anglisë, kujdesej që ambasadori anglez në Berlin të largohej drejt vendit të tij shëndoshë e mirë. Ciano, ministri i Jashtëm italian, shënon në ditar takimin e fundit me ambasadorin grek dhe përcjelljen e tij pas shpalljes së luftës midis dy vendeve në tetor 1940. Salah al Din-i në shekullin XI priste si miq të shenjtë përfaqësuesit e krishterë pikërisht përpara betejave me ta, ndërsa sulltanët osmanë u bënë mbrojtës të Varrit të Shenjtë në Jerusalem për shekuj me radhë deri në fillim të shekullit XX.
Ndërsa dekadat e fundit, shohim që pikërisht ambasadorët, pjesa më e shenjtë e mikpritjes tradicionale lindore, janë bërë shënjestër e gjithfarë lloj grupesh e njerëzish të pakënaqur. Zor të gjendet veprim që njollos më keq vlerat morale të Lindjes, sesa sulmet ndaj ambasadave të huaja në vendet e tyre.
Në kohën tonë, me të gjitha mangësitë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten e vetmja fuqi botërore që mbart mbi vete përgjegjësi globale mbi fatet e botës dhe të qytetërimit njerëzor. Besoj se çdo qytetar i botës, mysliman, budist i krishterë a ateist qoftë, duhet të ndihet i prekur në vlerat e veta, sa herë që kjo fuqi e stërmadhe vihet nën goditje dhe, për më tepër që, bash për këtë arsye të vlerave që mbart, nuk mund të përgjigjet me të njëjtën monedhë. Më kujtohet këtu ajo anekdota historike e atij vendit në Afrikë që, protestës së Gjermanisë se kanibalët kishin ngrënë ambasadorin gjerman që kishte dalë për gjueti, iu përgjigjën: “s’kemi ç’të bëjmë, por mund të hani edhe ju ambasadorin tonë”.
Askush nuk ka kërkuar ndonjëherë ndërhyrjen e shteteve të vogla për të shpëtuar kombe të tjera nga diktaturat, ndërsa të gjithë i kanë kërkuar e i kërkojnë llogari morale Amerikës për këto gjëra. Edhe shqiptarët e mi, dikur këndonin “Mbahu nëno mos ki frikë/ se ke djemtë në Amerikë”, të bindur pikërisht në vlerat e kësaj fuqie të stërmadhe. Pikërisht për këto vlera, me gjithë defektet që mund t’i gjejmë, apo pakënaqësitë për veprime të veçanta, është detyrim moral i yni të rreshtohemi krah Amerikës, sa herë që goditje të tilla si ajo e Libisë vënë në rrezik jo thjesht një seli apo një shtet, por gjithë mburojën e qytetërimit bashkëkohor.
Top Channel