Siri, i dërguari i paqes mbërrin në Damask

14/09/2012 09:55

I dërguar i OKB-së dhe Ligës Arabe për Sirinë, Lakhdar Brahimi, realizoi vizitën e parë në kryeqytetin Damask.

I pritur nga ministri i Jashtëm, Brahimi do të takohet gjatë së premtes me presidentin Bashar al-Assad dhe grupet e opozitës, për të biseduar mbi krizën që po i kushton jetën qindra sirianëve çdo ditë.

Në dhënien e mirëseardhjes në vendin e përçarë nga lufta civile, ministri Walid al-Moualem i tha të dërguarit të paqes se qeveria e tij ishte e vendosur që të mbështeste misionin e tij fisnik.

Megjithatë, në një deklaratë evazive, Moualem theksoi se “çdo debat për zgjidhjen e krizës duhet të përqendrohet në interesat e vetë popullit sirian”.

Nga ana e tij, Brahimi deklaroi: “Ekziston një krizë dhe askush nuk e mohon atë. Ekziston një krizë që po përkeqësohet dhe të gjithë bien dakord në nevojën e ndalimit të kësaj gjakderdhje dhe rikthimit të harmonisë. Ajo që mungon është rruga për të realizuar këtë”.

Sipas të dhënave jozyrtare, rreth 28 mijë persona kanë humbur jetën që prej fillimit të konfliktit në mars 2011, ndërsa numri i sirianëve që kanë braktisur shtëpitë dhe konsiderohen refugjatë lufte brenda ose jashtë vendit është prej 1,5 milionë personash.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA