Skandalet me doping, Bezhani: Politika na la kështu

13/09/2012 22:30

Skandalet me atë që konsiderohej sporti që ka qenë krenaria e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare vazhdojnë. Top Channel zbuloi se Federata e Peshëngritjes ishte pezulluar përkohesisht nga Federata Ndërkombetare e këtij sporti për rastet e përsëritura të dopingut.

Por vendimi i marrë në 8 gusht u mbajt i fshehtë nga autoritet shqiptare të këtij sporti. Situata tashmë është dëshpëruese. Për të folur rreth kësaj cështje në studio e edicionit qendror të lajmeve në Top Channel ishte Viron Bezhanin, Shefi e ekipit olimpik.

Top Channel: Zoti Bezhani, ju jeni një nga njerëzit që ka folur hapur dhe ashpër në lidhje me situatën e rëndë në këtë sport. Pse u fsheh ky fakt, pra vendimi i pezullimit të përkohshëm dhe pse jemi në këtë gjendje?

Viron Bezhani: Unë mendoj se të gjithë duhet të bashkohemi dhe të flasim hapur për përmirësimin e sportit. Vetëm në këtë mënyrë do bëjmë para në sport, pasi sporti ka nevojë për të gjithë ne. Të gjithë ne gishtin duhet ta vëmë në planin e sportit. Rastet e dopingut duhen diskutuar dhe të gjendet nga ka ardhur ky burim. Federata e ka fshehur në disa raste dhe kjo nuk është mirë, por ka raste edhe në Ministrinë e Sporteve që i kanë fshehur.

Top Channel:
Sipas informacioneve federata apo KOKSH ka pasur dijeni për përdoruesit e mundshëm të dopingut. Pse përfshihen sportistë të përfolur në lojrat olimpike?

Viron Bezhani: Unë nuk mund të them në terma të përgjithshme. Por ne jemi në një gjendje të tillë sepse politika na la kështu, sepse ministria nuk ka asnjë strategji për këta sportistë e këtë sport. Nga ministria, punonjësja e ministrisë në komisionin anti-doping, që ka listën me personat, askush nuk është kontrolluar. Janë vetëm 2 raste në botë, Bjellorusia dhe Shqipëria që varen nga ministria, të tjerët i kanë private.

Top Channel: A ka dijeni federata për veprimtarine e trajnerëve dhe njerëzve të peshëngritjes të cilët kanë rezultuar njerëz me probleme në vendet e tyre. Ju kujtoj rastin e një qytetareje bullgare që i ishte ndaluar të ushtronte aktivitetin në vendin e saj dhe punonte me peshëngritësit tane, apo rasti i trajnerit amerikan të përjashtuar përjetë për doping që stërviste Pulakun?

Viron Bezhani: Për mendimin tim federata ka dijeni për gjithcka. Për këtë duhet të bëhet një analizë më vete. Federata miraton cdo veprim.

Top Channel: A duhet të dorëhiqet pas kësaj Presidenti i Federatës së Peshëngritjes?

Viron Bezhani: As që nuk diskutohet që duhet të hiqet presidenti. Por si ka mundësi që ministria s’prononcohet?!

 

Top Channel