Aleksander Cipa – Ditët e fushatës së re elektorale në vend kanë
mbërritur. Nuk janë vetëm dy udhëheqësit kryesorë të partitizmit që e
kanë shpallur atë, por edhe figura të tjera eminente në të dyja palët.
Kryeministri aktual Berisha, prijës i vjetër i Partisë Demokratike dhe koalicionit të pritshëm të saj, tashmë e ka servirur “antipastën” e vet elektorale. Është një përgatitje e mirëmenduar qysh në fillim të mandatit të tanishëm qeverisës, në vitin 2009, kur ideoi tezën e rishkrimit të historisë dhe për rrjedhojë edhe rivlerësimin e saj. Kjo paraprirje e koordinuar me kalendarin kremtues të 100-vjetorit të themelimit të shtetit të pavarur shqiptar, është konceptuar zgjuarsisht prej tij si një “antipastë” në të cilën do të vërsulen jo vetëm pirunë e militantizmit dhe fansave politikë, por do të nguteshin lehtë edhe kundërshtarët e kryeministrit nga kampi i së majtës që prej vitesh rron në amullinë e vetvetes. Kryeministri Berisha, sipërmarrjen e vet institucionale politike e shndërroi me lehtësi në platformë, me detyrim ndjekjeje, për historiografinë zyrtare në vend, për institucionet e memorialistikës dhe të ekspozimit institucional. Një nismë, e cila nuk ka pasuar vetëm me prononcime që ekspozojnë së pari bindshmërinë institucionale ndaj protagonizmit apo inkurajimit të qëllimshëm të kryeministrit. Politikani Berisha dihet tashmë fort mirë që zyrtarisht antikomunizmin propagandistik e ka armën e vet ekzistenciale politike. Kjo nismë është platformë ndihmuese për një rrethanë dhe klimë të re elektorale politike në Shqipërinë e tranzicionit postkomunist shqiptar. Makineria e madhe e propagandës që zotëron kryeministri e ka marrë prej kohësh detyrën. Në këtë shërbim, në funksion impiantesh janë vënë shumë struktura të cilat duket se nën moton e investigimit të të fshehtave të historisë së deformuar dhe të përmbysur komuniste, po i japin opinionit publik versionin real dhe po kryejnë misionin rivlerësues për protagonistët dhe personazhet e harruar të historisë së vendit.
Natyrisht kjo mënyrë dhe ky qëllim i fushatës historishkruese, duke pasur në thelb interesin elektoral e politik, lehtësisht po zbulon asimetrinë dhe trajtimin politizues të historisë politike të Shqipërisë shtetërore. Dëmi, si shfaqje tekstuale dhe ballafaquese do të shfaqet ndoshta më vonë para studiuesve dhe opinionit plural publik. Në moshën tjetër të afërt të vetes, do të gjendemi para absurditeteve, në të cilat u gjendën etërit dhe gjeneratat tona, pas imponimit të teksteve dhe versioneve zyrtare të historisë nga regjimi komunist. Kjo është çështje dhe realitet me pasoja të tjera, por le të mbetemi te qëllimi politik dhe produkti elektoralo-politik i pritshëm prej kësaj nisme. Deri në nëntorin e këtij viti, kjo sipërmarrje ka për të qenë shumë e shumë herë më intensive dhe madje me formatin dhe peshën e plotë specifike të një aksioni pse jo revolucionarizues, në marrëdhënien e historiografisë dhe nderimit zyrtar ndaj së shkuarës 100-vjeçare të shtetit dhe historisë përcjellëse të tij.
Në këtë akt rishkrues dhe rivlerësues, bëhet edhe më evident antikomunizmi propagandistik i kryeministrit Berisha, në rastin rivlerësues të monarkisë shqiptare. Këtë kazus me semantikë të fuqishme dhe të leverdisshme politike, zoti Berisha ka për ta theksuar edhe më tepër në ditët vijuese drejt ditës së 100-vjetorit të pavarësisë sonë shtetërore. Dukuri të tilla janë të njohura në karrierat e politikanëve të karrierës dhe sidomos ndaj atyre që përkatësinë e tyre politike dinë ta fitojnë më së miri jo përmes programeve dhe platformave politiko-ekonomike që aplikojnë gjatë mandateve të qeverisjes, por përmes propagandës dhe fushatave propagandistike që realizojnë, duke siluruar trashëgiminë politike të kundërshtarëve dhe duke ndërmarrë akte të forta institucionale rivlerësuese për paraprijësit politikë të kahut politik me të cilët kanë përkim dhe përkatësi zyrtare.
E majta përballë këtij kazusi, pra PS e sotme e Shqipërisë, po sillet dhe shfaqet me një diletantizëm dhe pakulturësi politike të pashoqe. Ish-presidenti demokrat amerikan, Bill Klinton, dikur shprehej se historia politike për një parti dhe udhëheqësin e saj është aset programor dhe fuqi për betejë të suksesshme elektorale. A thua këtë tezë e paska përvetësuar i pari zoti Berisha?!
Një “pirun” i ngulur me ngutje në “antipastën” e zotit kryeministër prej socialistit ish-kryeministër Pandeli Majko, ku sipas kësaj “kafshate”: “largimi i Zogut nga Shqipëria në prill 1939, në ditën e pushtimit ngas Italia, ishte një akt juridik që i tregonte botës se Shqipëria po pushtohej, dhe si i tillë duhej vlerësuar”), rrezikon futjen e historianëve të majtë dhe politikanëve të dasuar të kësaj së majte në një debat shterp, përballë të cilit, kryeministri Berisha do shijojë qeshje më të madhe se sa ato në lirinë e darkave më të gëzuara me të vetët. Këtë shije të mirëmenduar që dhuron dhe do të dhurojë “antipasta” e servirur tashmë në tryezën e diskutimit, debatit, nderimit dhe rivlerësimit të figurave të historisë sonë shtetformuese dhe politike të këtij 100-vjetëshi, kryeministri po e sheh politikisht si “gjellën” që po i imponon kundërshtarit. E majta përballë tij, duket se jeton me kuzhinën e tjetrit!
Kjo e majtë e mbetur në çorodinë e përkatësisë së vet, po shfaqet realisht shumë larg dëshmimit të një ndërgjegjeje ku fondamenti politik kombëtar do të duhej të diferencohej prej atij të përkatësisë politike dhe duke i ofruar shërbesës institucionale një sistem të ri metodologjik dhe historiko-politik të vlerësimit të trashëgimisë sonë në këtë shekull historik. Kjo e majtë zyrtare, pra opozita socialiste në këtë 100-vjetor është bashkëpjesëtare si administratore e përgatitjes së kremtimit. Qyteti historik i Pavarësisë, Vlora qeveriset prej socialistëve dhe në detyrimin e vet përmes kryebashkiakut dhe forumeve vendore qeverisëse prej kohësh do të duhej të kishte shpallur një program eksplicit kremtimi. Janë vetëm dy muaj që na ndajnë nga data historike dhe përveç një shtatoreje të porositur mëvetësisht për burrin themelues të shtetit, Ismail Qemalin, ende nuk kemi një kalendar të afishuar përgatitjesh, investimesh, festimi dhe nderimi. Do të ishte e denjë për këtë qytet dhe gjithë elitën tonë në shërbim të faktologjisë historike të realizonte një fushatë faktmbledhëse që të kontrastonte dhe të shquhej mbi fushatën me motiv dhe brendi propagandistike, me tendencë dhe kritere të besnikërive ideologjike etj. Ndërkohë që në hapësirën e rimbushëshme të shtypit ditor, opinionistët dhe të dhënët pas historishkrimeve po orientojnë diskutimet për personazhe të harruara dhe të tilla të keqvlerësuar përmes mbivlerësimit prej regjimit komunist etj., etj. Ndërkohë që historianët po na mungojnë për një pasqyrim të balancuar dhe gjithëpërfshirës në aktin e madh themelues të shtetit shqiptar. Asetet e dijes dhe akumulimit të faktologjisë historike në kremtime të tilla, bëhen edhe më të domosdoshëm për t’u shfrytëzuar dhe vënë në shërbim të dijenisë dhe ekspozimit publik.
Por lehtësisht 28 Nëntori i 2012 po afrohet për t’u kapërcyer dhe prej tij do të trashëgohet padyshim më së shumti shija elektorale dhe politike e qëndrimit që do të mbajë e propagandojë shumica zyrtare politike e vendit. Nga ky 100-vjetor, si shije do të vijojë të përdoret edhe kjo që tashmë ka shtruar kryeministri si “antipastë” e pastër politike. Pas “pirunit” të ish-kryeministrit Majko do të ishte zgjuarsi të mos pasonin “pirunë” të tjerë, por të kërkohej me këmbëngulje dhe largpamësi politikëbërëse ngritja e platformës së përballjes elektorale për një shtet me risinë e hyrjes në shekullin e dytë të jetës së vet dhe me maturitetin e të qenit shekullor. Në këtë mënyrë, kontrasti modelor dhe përmbajtësor mes palëve që konkurrojnë për qeverisjen e tij, u jep “antipastave” të tilla vlerën e enëve të mbledhura nga një tryezë radhe, ku historia përdoret dhe nuk trajtohet si e përhershme prej të përkohshmëve.
Top Channel