Capello: Juventus, favorite në Champions

13/09/2012 20:50

Trajneri i kombëtares së Rusisë, Fabio Capello, në një intervistë të gjatë për “La Gazzetta dello Sport” foli për jetën e tij ruse, kombëtaren që shpreson të udhëheqë në Brazil 2014, emra të përveçëm të futbollit botëror, paralajmëroi Milanin për Zenitin në Champions, si dhe cilësoi Juventusin si një favorit për të bërë gjëra të mëdha në Europë.

Ambientimi në Rusi – “Ndryshe nga kombëtarja e Anglisë, fjalimet me skuadrën ndryshojnë. Atje mund të thoja disa fjalë dhe kuptoheshim, ndërsa këtu çdo fjalë e imja duhet të përkthehet. Është pak sikletosëse, pasi për trajnerin emotiviteti në fjalime ka shumë rëndësi, por mbase edhe për këtë kam zgjedhur të qëndroj në Moskë, ndryshe nga sa kanë bërë paardhësit e mi. Për më tepër, është një qytet me të vërtetë i mrekullueshëm”.

Milani në Champions – “Nuk mund ende të vlerësoj forcën e Milanit pas largimit të dy futbollistëve kryesorë. Nuk i njoh ende mirë të rinjtë, shumë faret nga forma e Boateng, ndërsa De Jong është një blerje e mirë. Do të thoja se Allegri duhet të fitojë me çdo kusht ndeshjen e parë në shtëpi me Anderlecht, pasi me Zenit në Shën Pjetërburg do të jetë shumë e vështirë. Kjo skuadër ka shtatë futbollistë në kombëtaren time dhe sapo është përforcuar me lojtarë të rëndësishëm si Hulk apo Ëitsel. Milani nuk ka aspak një grup të lehtë. Edhe Malaga, në vlerësimin tim, është shumë e rrezikshme”.

Juventus në Champions – “Shakhtari është një rival që mund të vendosë në vështirësi edhe ekipe të mëdha, ndërsa me Chelsea do të jetë një ndeshje e madhe. Megjithatë, besoj se Juventusi është midis favoriteve dhe besoj se do të avancojë larg në këtë Champions, të paktën midis tetë ekipeve më të mira, por sivjet do të jetë shumë e vështirë që të mposhtet Reali. Në kampionat, janë favoritë të qartë dhe besoj se rivalët kryesorë do të jenë Roma e Napoli, më shumë se sa dy milanezet”.

Vlerësimi për Interin –
“Nuk është se nuk më bind, por ashtu si Milani janë në një moment të ndërrimit të brezit. Të dy këto ekipe kanë nisur një rrugë, të shohim me sa vendosmëri do ta ndjekin. Napoli nga ana e tij është gati për hapin e madh, ndërsa tek Roma mendoj se Zeman është një garanci për suksesin”.

Falcao si Messi – “Që prej Messit, nuk kisha parë një futbollist që të më befasonte aq shumë në pamje të parë sa Falcao. Është një sulmues i madh, për momentin mendoj se është sulmuesi më i mirë në botë”.

Top Channel