
Themelusi i “Facebook”, Mark Zuckerberg, pranoi se lëshimi katastrofik i kompanisë në bursë dëmtoi imazhin e rrjetit shoqëror në intervistën e parë që prej kuotimit të muajit maj.
“Rendimenti ynë në tregun e aksioneve ka qenë pa dyshim zhgënjyes”, pranoi themeluesi dhe drejtori i përgjithshëm i “Facebook”, gjatë një konference mbi teknologjinë në San Françisko, SHBA.
Duke folur për aftësitë e tij personale të kodimit dhe programimeve, Zuckerberg me humor shtoi: “Gjithçka që unë bëj prishet, por arrij ta ndreq shumë shpejt”.
Intervista e Zuckerbergut erdhi në një moment të vështirë për kompaninë, pasi katër drejtues ekzekutivë u larguan nga radhët e saj në muajit e fundit dhe morali i “Facebook” është në një pikë të ulët historike, pasi vlera e aksioneve pothuajse është përgjysmuar nga vlera e lëshimit në treg katër muaj më parë.
Aktualisht, çmimi i një aksioni të “FB” në tregun amerikan është prej 19,48 dollarësh, nga 38 dollarë që ishte çmimi në momentin e lëshimit.
Ndërsa e cilësoi vetem si tepër kritik me rendimentin, arritjet dhe vlerësimet mbi “Facebook”, themeluesi i rrjetit më të madh shoqëror në botë shtoi se e ardhmja do të varet gjithmonë e më shumë nga celularët. “Praktikisht, nuk mund të jetoj dot pa celularin tim. Sa shumë gjëra kam shkruar dhe programuar prej tij. E ardhmja e “Facebook” do të varet gjithashtu gjithmonë e më shumë tek celularët”, tha Zuckerberg.
Top Channel