
Çdo ditë e më shumë, ceremonitë e dasmave po kthehen në një spektakël. Nëse do ta bësh atë ditë të paharrueshme, duhet të vishesh në një mënyrë të tillë, duhet të gjesh një makinë tepër të veçantë, duhet të marrësh leksione vallëzimi për kërcimin e hapjes, të bësh foto artistike dhe një videoklip profesional, të “zhvendosësh” zyrën e celebrimit nga njësia bashkiake në lokalin e dasmës.
Por, që të arrish vërtet në majë, duhet të shkosh drejt altarit me miqtë dhe mikeshat tua më të mira, të veshur veçanërisht bukur.
Klaudeta Skënderasi ka pasur katër shoqëruese ditën e saj më të rëndësishme të jetës. “Nuk e kam bërë për arsye bestytnie. Mund të them se ishte një frymëzim edhe nga filmat dhe nuk e mohoj dot se është një gjë që sa here e shihja me frymëzonte. Doja te kisha afër mikeshat që më shoqëronin sepse ka lidhje edhe me historinë tonë. Atë ditë mund të kisha zgjedhur në listën e mikeshave shumë të tjera, por për shoqëruese e përligjnin tërësisht të zgjedhurat sepse ishin shumë të pranishme në lidhjen tonë prandaj ishin ato”.
Iva Tiço, kryeredaktorja e grupit mediatik “Jeta”, ishte njëra midis shoqërueseve të ftuara. “Kur mësova se do të isha shoqëruese në dasmën e Klaudës u emocionova shumë. Mendimi im i parë ishin filmat amerikanë ku e kemi parë shumë shpesh këtë traditë. Ishte mëngjes dhe po pinim kafe, kur Klaudeta më tha se do të martohej dhe se unë do të isha një nga shoqërueset”.
“Shoqërueset e nuses kanë hyrë vonë si traditë dhe herët e para që u përpoqëm, klientët nuk ishin gati për këtë ofertë. Ngacmimi, pa dyshim erdhi nga filmat hollivudianë pak nga pak edhe tek publiku”, shprehet Armand Peza, një prej administratorëve të një prej dyqaneve kryesorë të organizimit të dasmave në Tiranë.
Numri i shoqërueseve nuk është i përcaktuar. Në kohët moderne, numri i shoqërueseve varet nga dëshira e ciftit, por historikisht numri tregonte statusin social të familjes dhe shpeshherë dhe gjendjen financiare pasi çifti merrte përsipër edhe shpenzimet për ta.
“Ka disa të dhëna në përzgjedhjen e veshjes së shoqërueseve, ngjyrat e përcaktuara dhe ngjyrat që janë pak larg nga ngjyra e veshjes së nusërisë. Ajo që duhet të bëjë një shoqëruese është të evitojë një ngjyrë të hapur që i ngjason veshjes së nuses. Preferohet që ngjyra të jetë pastel, duke u larguar pak nga jeshilja. Në SHBA dhe në Shqipëri janë më të lirshëm përsa i përket ngjyrave, si vjollca ose lejlaja që atje janë shumë të preferuara, por në Europë konsiderohet se sjell ters. Përzgjedhja e veshjes së shoqërueseve mund të bëhet nga nusja, por në këtë rast ajo duhet të paguajë shpenzimet ose nga vetë shoqërueset, që në këtë rast e përballojnë vetë shpenzimin”, deklaroi Marsela, gjithashtu drejtuese e një prej linjave të organizimit të dasmave dhe veshjeve të nusërisë në Shqipëri.
Besoni, të zgjedhesh veshjen e shoqërueseve nuk është e thjeshtë. Duhet të gjesh ngjyrën dhe modelin për katër vajza me forma, preferenca dhe karaktere të ndryshme.
“Biseda e parë ishte se çfarë ngjyrash do të ishin fustanet, pjepër, salmon, rozë apo e bardhë”, shprehet kujton nusja Klaudeta. “Nuk e kisha aspak problem që të gjitha të ishin me të bardha, ndonëse thuhet se kjo nuk duhet të ndodhë, por në fund rezultoi e vështirë të zgjidhnim dhe unë vendosa për ngjyrën jeshile, ndonëse gjeta rezistencë tek një nga prezantueset që mendonte se jeshilja nuk i përshtatej”.
“Ngjyrën jeshile nuk e kam përdorur kurrë në jëtë”, pranoi Tiço. “Nuk kam asnjë nuancë jeshile në garderobë dhe më duket se është ngjyra që më pak më shkon. Më jep dritë të keqe në fytyrë dhe isha e gatshme të vishja çdo ngjyrë tjetër veç saj, por pastaj kuptova se nuk ishte dasma ime, ishte ngjyra e preferuar e Klaudetës, me jeshilen që ndodhet kudo në shtëpi, dekord dhe veshjet e saj, prandaj edhe dasma duhet të bëhej me ngjyrën e saj të preferuar”.
Por, të jesh shoqëruese nuk është thjesht çështje dekori. Mikeshat kanë detyra të përcaktuara që më parë.
“Nuk i realizuam mirë detyrat në dasmën e Klaudetës, edhe sepse detyrat ajo është duke pritur një fëmijë dhe nuk e realizuam dot detyrën kryesore të festës së beqarisë. Megjithatë, u morëm me veshjen e nuses dhe detajet e tjera të organizimit dhe besoj se ia dolëm me sukses”, vlerësoi Tiço.
Por, edhe dhëndri ka shoqëruesit e tij në dasëm. “Klaudia e kishte më të thjeshtë, mbase femrat janë edhe më praktike në këtë drejtim, ndërsa unë si me shaka me miqtë më të ngushtë dhe kushërinjtë e kisha shumë më të vështirë të përzgjidhja. Megjithatë, përfundimisht u bëra praktik dhe zgjodha pesë njerëzit më të afërt për mua, ndonëse veshja për ta nuk ishte një problem, pasi mjaftonte një këmishë e bardhë. Për mua, ishte shumë më mirë kur shikoje që në krah ke shokë, njerëz që je rritur dhe ndryshe nga shoqet e Klaudias që u përlotën, unë me shoqëruesit bëmë gallatë dhe batuta gjatë të gjithë dasmës”, u shpreh Flori, dhëndri i kësaj dasme.
Por, ku e ka origjinën një traditë e tillë e shoqëruesve? Zanafilla vjen nga Roma e lashtë, ku në një ceremoni martese merrnin pjesë 10 dëshmitarë të cilët visheshin identik si nusja dhe dhëndri me qëllimin që Djalli, i cili besohej se merrte gjithnjë pjesë në një ceremoni të tillë, të mos arrinte t’i dallonte për t’u bërë keq.
Ndonëse në kohët moderne, preferohen më shumë tonalitete që i largohen ngjyrës së fustanit së nuses, ka nga ato që i qendrojne besnike bestytnisë së hershme. Kim Kardashian, përshembull, ka vendosur që në dasmën e saj, shoqërueset të vishen njësoj si ajo. Por kush mund te zgjidhet shoqeruese e nuses?
“Në vende të ndryshme, në kultura të ndryshme, përzgjedhja është e ndryshme. Diku nuk lejohen motrat, diku përfshihen. Nusja mund të zgjedhë motra, shoqe, mikesha, por mamaja nuk lejohet. Megjithatë, në rastin e Kardashian ajo ishte shoqëruesja e parë e nderit”, thotë Peza.
Edhe në Shqipëri preferencat janë të ndryshme. Herë zgjidhen shoqet, e here motrat apo kusherirat. Pavarësisht se kush do të jenë shoqerueset, e sigurt është që prezenca e tyre i jep ceremonise së martesës një atmosferë spektakolare. Por, e parë thellë, kjo eshte ose të pakten duhet të jetë më shumë se kaq.
Për Klaudeten, pa dyshim kjo eksperiencë ishte e paharrueshme. “Është shumë shumë e kur i plotëson të gjitha pritshmëritë që ke për një ceremoni martese. Duket bukur nga jashtë, duket bukur sepse ke mikeshat e tua më të shtrenjta aty pranë me ty dhe duket bukur kur shikon fotot më pas dhe kur vajza ime ti shohë kur të jetë e rritur”, tha e sapomartuara.
Top Channel