Juventus, Marotta: Mendojmë për blerjet e reja

12/09/2012 20:25

Drejtori i Përgjithshëm i Juventusit, Giussepe Marotta, i pranishëm në një aktivitet të skuadrës së të rinjve, u shpreh se pavarësisht përfundimit të merkatos, puna e tij për të përcaktuar objektivat e radhës nuk ka përfunduar.

“A do të vijë Llorente në janar? Media na atribuon bisedime të cilat nuk i kemi realizuar kurrë, ashtu siç ndodhi me Lazion, kur u tha se ndiqnim Diakitenë dhe kjo nuk ka qenë kurrë e vërtetë. Në janar, pas përvojës në Champions dhe duke parë situatën në kampionat, do të shohim se çfarë ndërhyrjesh mund të na duhet të bëjmë. Bendner? E kam njohur pak më parë, por Conte është i kënaqur dhe ka dhënë vlerësime shumë pozitive rreth tij. Është një lojtar i rëndësishë për ne”.

Përsa i përket Jovetic, Marotta komentoi: “Bashkë me Conten hartuam një listë me profiling e lojtarëve që mund të përshtateshin për skuadrën tonë dhe nuk e fsheh që Jovetic ishte një prej alternativave. Por, dua të theksoj se Juventusi vepron gjithmonë në mënyrë korrekte, flasim një herë me klubet dhe pastaj me lojtarët. Fiorentina bëri të qartë që nuk dëshironte të negocionte dhe ne e mbyllëm me aq”.

Numri dy i Juventusit vlerësoi në intervistën e tij për “La Gazzetta dello Sport” edhe rolin që pritet të kenë bardhezinjtë në kampionat apo Champions.

“Jemi të kënaqur që jemi rikthyer në Champions, një skenë ju Juventusi për vetë emrin që ka është i detyruar të synojë. Kemi të njëjtën dëshirë, si një vit më parë në kampionat, për të realizuar gjëra të mëdha. Në kampionat, pa dyshim që jemi skuadra për t’u mposhtur për faktin e thjeshtë që jemi kampionët, por çfarë kemi bërë një vit më parë, në këtë sezon të ri është shumëzuar me zero dhe këtë e kemi të gjithë shumë të qartë”, përfundoi Marotta.

Top Channel