Cristiano, takim me Mourinho

12/09/2012 12:50

Cristiano Ronaldo do t’i rikthehet të mërkurën stërvitjes me Real Madrid pas ndeshjeve me Portugalinë dhe do të takohet me Mourinho për herë të parë pasi bëri të qartë se tek ekipi spanjoll ndihet i trishtuar.

Tekniku i madrilenëve do të flasë sot me sulmuesin kryesor të skuadrës për të sqaruar çështjen që ka bërë bujë në mediat spanjolle.

Sipas ‘AS’, Mourinho do i “tërheqë veshin” për faktin se Cristiano pakënaqësinë e tij e ka bërë publike para mediave pa folur më parë me drejtuesit, stafin teknik apo shokët e skuadrës. Më pas do i përcjellë lojtarit angazhimin e klubit për ta mbështetur në luftën e tij për trofe individualë.

Gjithsesi, ajo që duket problemi kryesor i Cristianos, rritja e pagës, nuk do t’i sigurohet nga Mourinho edhe pse futbollisti nëpërmjet Facebook-ut theksoi se nuk janë paratë problemi i tij.

Prej disa muajsh, klubi kishte vendosur për një rritje page për portugezin, por u la pezull për shkak të Kaka’, brazilianit me pagë të majme i cili nuk lëvizi nga Madridi.

Top Channel