Përballja me Zvicrën, Shqipëria me 4-4-1-1

11/09/2012 00:00

Trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi, pritet që ta nisë
ndeshjen e sotme me një sulmues dhe me shumë mundësi ai do të jetë Erjon Bogdani, autori i golit të mrekullueshëm në sfidën me Qipron.

Fakti që kombëtarja zvicerane është një skuadër më superiore se e jona duket se e ka detyruar trajnerin tonë të nxjerrë në fushë një formacion me një mesfushë të blinduar. Italiani kërkon që nëpërmjet repartit të mesfushës të thyejë çdo tentative të zviceranëve për sulm.

Pritet që në portë të jetë sërish portieri i Palermos, Samir Ujkani. Mbrojtja nuk do të preket dhe do të jenë sërish ata 4 futbollistë që luajtën kundër Qipros: Dallku, Cana, Mavraj dhe Lila.

Në mesfushë, përkrah Bulkut, Vilës dhe Kukelit pritet të rikthehet Ansi Agolli. Ndërkohë Meha do të jetë një sulmues i fshehtë përkrah Erjon Bogdanit.

Sfida e dytë e jona, ajo përballë Zvicrës, do të ketë një transmetim maratonë, pasi gazetarët e Supersport do të nisin me një emision special që në orën 18:00 direkt nga stadiumi Swisspor Arena deri në orën 20:30, moment kur do të startojë sfida.Per te gjithe ju qe nuk keni mundesi ta ndiqni takimin ne ekran, www.top-channel.tv do te komentoje ‘live’ minute pas minute perballjen e kuqezinjve me kombetaren zvicerane. Na ndiqni!

De Biasi: Duam pikë ndaj Zvicrës

Skuadra jonë kombëtare do të luajë ndeshjen e dytë të Grupit E të
eliminatoreve të Botërorit 2014 me Zvicrën. Pas fitores me Qipron 3-1 në
Tiranë skuadra e De Biasi do të kërkojë të marrë pikë edhe në Luzernë
ndaj skuadrës zvicerane, që shihet si favoritja në këtë përballje.

Në një intervistë për mediat e huaja, trajneri italian foli për këtë
përballje sigurisht pasi analizoi disi edhe ndeshjet e para.

‘E dinim që do ta kishim të vështirë ndeshjen me Qipron, por në fund
arritëm të fitonim-tha De Biasi në intervistën e tij.- Ndeshja me
Zvicrën është krejtësisht ndryshe. Zvicra vjen pas fitores me Slloveninë
që është një ekip më i fortë se Qipro. Për mua Zvicra, Sllovenia dhe
Norvegjia jane ato qe pretendojnë kualifikimin per ne Boteror. Për
Shqipërinë renditja në vendin e katërt në grup është rezultat shumë i
mirë’.

De Biasi nuk e la jashtë vëmendjes faktin që në përfaqësuesen zvicerane luajnë disa futbollistë me origjinë shqiptare.

‘Shumë futbollistë shqiptarë luajnë për skuadra të federatave të tjera
dhe kjo është dicka për të cilën më vjen keq-vijoi De Biasi-gjithsesi ka
ende futbollistë shqiptarë të talentuar që janë nëpër botë dhe që kanë
një interes për skuadrën kombëtare’

Top Channel