Drejtësia e kapur si thelb enverist i Berishizmit

11/09/2012 00:00

ANDREA STEFANI – Kush nuk mëson nga historia është i dënuar të përsërisë
gabimet e së shkuarës. Dhe një gjë e tillë po ndodh edhe me jo pak
shqiptarë që duket se nuk kanë mësuar ende se sundimi mbi 40-vjeçar i
Enver Hoxhës u themelua, në radhë të parë, mbi dukurinë e skllavërimit
të drejtësisë nga partia në pushtet.

Është për këtë shkak që ata nuk e perceptojnë si një dukuri të rrezikshme për lirinë e tyre, tendencën e Kryeministrit Berisha për të kapur të gjitha institucionet, përfshirë dhe ato të drejtësisë, duke vendosur besnikë të tij në krye të tyre. Një tendencë e kritikuar hapur së fundi edhe nga ish-ambasadori amerikan Uidhërs, por e fshikulluar edhe nga zv. ndihmëssekretari Riker që nënvizoi pavarësinë e institucioneve në takimin me Berishën në Tiranë.

***

Pavarësia e pushtetit të drejtësisë nga qeveritë është thelbësore për lindjen dhe fuqizimin e lirisë së qytetarëve në një shtet. Ndërkaq, askush nuk mund të mbysë liritë e qytetarëve dhe të sundojë mbi ta, pa skllavëruar më parë pushtetin e drejtësisë, prokurorinë, gjykatat. Të gjitha krimet e komunizmit, pushkatimet, burgosjet, internimet e kanë rrënjën te nënshtrimi i prokurorisë dhe gjykatave nga qeveria dhe lideri i partisë në pushtet. Këto ditë janë publikuar në media disa kujtime të Vahid Lamajt, ish-sekretar personal i Enver Hoxhës dhe më pas një nga viktimat e atij mekanizmi të përbindshëm ku prokuroria dhe gjykatat janë zbatuese të verbra të vullnetit të kryepushtetarit. Ja si shkruan ndër të tjera ai lidhur me raportet që mbante Enveri me pushtetin e drejtësisë: “Enveri e përfytyronte ligjin si instrument në duart e tij për të mbrojtur interesat e veta dhe jo si një mekanizëm, që rregullon në radhë të parë raportet midis shtetit dhe shtetasve, që ve rregulla të detyrueshme sjelljeje për zbatim si për vetë shtetin, ashtu edhe për shtetasit”. Ka sot një pafundësi rastesh që provojnë se kjo është edhe mënyra e të menduarit të Sali Berishës që është kapilarëzuar në tërë piramidën e administratës së pushtetit. Në kujtimet e tij Lamaj përmend një rast kur një gjykatë kishte guxuar të kthente në punën e mëparshme një nëpunës të pushuar me urdhër të një sekretari të Komitetit të Partisë. “Kur mori informacionin Enverit nuk i erdhi aspak mirë… Kush ka thënë që paska të drejtë gjykata të kthejë në punë një punonjës që është pushuar me porosi të Komitetit të Partisë?! Ç’u bë gjykata, që na dilka mbi partinë?! Ajo është një organ shtetëror i thirrur pikërisht për të zbatuar vijën e partisë dhe jo për t’iu kundërvënë… vërtet ne kemi thënë që gjykatat janë të pavarura, por kjo pavarësi të kuptohemi drejt, nuk është absolute” – mësohet se është shprehur diktatori. Dhe në këto pak rreshta është shprehur jo vetëm mendësia diktatoriale, por edhe demagogjia me gjyqësorin e “pavarur” që megjithatë, nuk duhet të ishte aq i pavarur nga partia. Mjerisht një mendësi dhe demagogji që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Prova? Sa të duash! Le të marrim vetëm përzëniet nga puna të mijëra nëpunësve civilë sa herë ndërrohet pushteti në Shqipëri. Janë njerëz që ju dhunohet e drejta e punës në mënyrë të kundërligjshme me vullnetin e partisë në pushtet. Dhe megjithëse ka pasur jo pak raste kur gjykatat i kanë shpallur jo të drejta këto vendime, njerëz me pushtet nuk kanë zbatuar vendimet e gjykatave. Vullneti i partisë ka dalë mbi vendimin e gjykatës. Ka ndodhur, pak a shumë, si në kohën e Enverit.

***

Por vendosmëria e qeverisë “Berisha” për të detyruar gjykatësit të konformohen me vullnetin e saj duke dhunuar të drejtën, është shpalosur më drejtpërdrejt në rastet kur ministra dhe zëvendëskryeministra kanë dalë në bankën e drejtësisë të akuzuar për korrupsion. Fatmir Mehdiu, Lulzim Basha, Ilir Meta janë ilustrimet më spektakolare të përdorimit nga qeveria e “duarve të pastra” të gjykatave apo gjyqtarëve të kapur, jo për të ndëshkuar korrupsionin, por për të pastruar duart e pista të zyrtarëve të saj më të lartë. Rrjedhojë e kësaj kapjeje të drejtësisë nga qeveria, partia dhe lideri në pushtet, është fakti që në Shqipëri nuk ka as edhe një ministër të qeverisë të ndëshkuar për korrupsion edhe pse ky i fundit denoncohet si shumë i lartë edhe nga institucione të specializuara ndërkombëtare.

***

Kapja dhe manipulimi i gjykatave nga qeveria është sëmundja më e tmerrshme që mund t’i ndodhë një shoqërie që aspiron një shtet me liri e të drejta. Sepse pa drejtësi nuk mund të ketë liri. Liria dhe drejtësia janë si dy anët e një monedhe. Pa drejtësi shtetasit do të jenë skllevër të detyruar t’u nënshtrohen padrejtësive, pushteteve të padrejta, qeverive të padrejta. Pa drejtësi edhe demokracia nuk e ka të gjatë, sepse gjykatat shndërrohen nga mbrojtëse të votës së lirë, në lavatriçe të votës së vjedhur. Pa drejtësi nuk ka shenjtërim të pronës private dhe as kthim të pronës tek i zoti. Pa drejtësi, liria e njeriut është e pamundur, prona, jeta dhe lumturia e tij të pasigurta. Nuk është aspak rastësi që treguesit e Shqipërisë, mbeten alarmantë në të gjithë këto rrafshe. Gjë që dëshmon se pavarësisht rënies së komunizmit, thelbi i tij, si padrejtësi që mishëron vullnetin e partisë në pushtet, mbetet zembreku i pushteteve politike që për këtë shkak, ndikojnë fuqimisht fatet e jetës së qytetarëve. Po si shpëtohet nga kjo e keqe, si bëhet që qytetarët të jenë zot të fateve të tyre? Ka vetëm një ilaç që është pavarësimi i gjykatave. Ndryshe nga ç’thoshte Enver Hoxha dhe ç’tenton Sali Berisha, ato duhet të kenë pavarësi absolute nga qeveria. Për hir të së vërtetës duhet pohuar se Sali Berisha nuk është i vetmi politikan që vuan nga mania e sundimit mbi gjykatat, edhe pse ka qenë i pari pushtetar që guxoi ta rishpërndajë këtë farë të diktaturës në brazdat e sapohapura të demokracisë. Por edhe pushtetet socialiste që pasuan atë pas vitit ’97, edhe pse jo aq agresivë në kapjen e gjyqësorit, nuk treguan ndonjë dedikim ndaj parimit të ndarjes së pushteteve dhe nuk u investuan me ndonjë devocion të dukshëm për pavarësinë e gjykatave. Është për këto shkaqe që ndërsa në qeveri ishin socialistët kam shkruar”: “Përdorimi i “drejtësisë” nga politika është trashëgimi më i urryer i komunizmit. Këtë e kemi parë edhe gjatë kohës së pushtetit të PD. Po e shohim edhe nën pushtetin e PS. Kjo dukuri antidemokratike dhe antikushtetuese, e ndërlikon zgjidhjen e problemit. Flirtet e drejtësisë me politikën u japin shkas, sipas radhës, politikanëve të akuzojnë drejtësinë për vartësi nga kundërshtari, por njëherazi këto akuza, janë edhe formë presioni, një kërcënim i politikës mbi drejtësinë. Nëse kjo situatë nuk merr fund, në Shqipëri nuk do të ketë shtet”. (Gazeta Shqiptare, Shkurt 2003). Dhe është për të ardhur keq që thuajse 10 vjet më pas, gjendja e punëve të bën të mos redaktosh asgjë nga ky pasazh.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA