Po nuk u zgjuam, maskarenjtë do t’i kemi gjithnjë mbi krye

10/09/2012 00:00

ZAMIRA ÇAVO – Jemi indiferentë apo frikacakë? Një popull që nuk reagon
kur i vjedhin xhepat, energjinë, ujin, kur i vjedhin bukën, një popull
që nuk reagon kur e lënë pa punë për shkak të bindjeve të tij politike,
që nuk reagon kur i digjet pylli që ka pranë shtëpisë, që përmbytet sa
herë bien shira më shumë se një javë, një popull që bën sehir si vriten
çdo ditë të rinjtë, një popull që shikon e nuk reagon, se si po zhbëhet
fëmijëria e së ardhmes së vet, ai popull ose është frikacak ose është
indiferent! Ky është mësim i historisë. Por unë kam opsionet e mia në
lidhje me këtë përgjumje, gati letargjike të popullit tonë.

Të gjitha sa thashë më sipër, janë vetëm pak nga ajo çka ndodh çdo ditë para syve tanë. Nuk u ndala të rendisja shitjen e pronës publike nga maskarenjtë e kohës. Nuk u ndala të thosha shitjen e pjesëve të tokës së quajtur Shqipëri nga po këta batakçinj, sepse do dukej pak si “patetike”. Por realisht një popull si ky i yni, që i ka sytë të mbyllur para kësaj masakre që po ndodh me trojet e veta, nesër do të gjendet skllav në tokën e vet! E kam thënë dhe herë të tjera këtë. Por realisht ç’ka ndodhur me këtë popull që është vrarë e prerë për “flamur”? Mos vallë patriotizmi ynë është thjesht dhe vetëm një ide fikse e trashëguar, pa asnjë vlerë nga historia? Si mund të pretendosh patriotizëm kur nuk reagon për asgjë që i ndodh vendit tënd? E megjithatë unë preferova ta kapërcej këtë pjesë duke u ndalur sërish në ato segmente të jetës sonë “individuuale” që na prekin çdo ditë. Kam dëgjuar me dhjetëra vetë që ankohen për faturat e energjisë elektrike, për ujin apo për vjedhjet. Të gjithë flasin dhe askush nuk vepron. Përse? Me se mund te shpjegohet kjo përgjumje popullore?

Së pari: Nga historia jemi mësuar të “lëvizim” me komandë. E di që “patriotët” që bërtasin për patriotizmin e tyre do të më gjykojnë si antishqiptare, por kjo s’ka ndonjë rëndësi. Në histori, e dimë mirë se sa klane kanë qenë dhe sa shumë i është dashur këtij populli të bëhet bashkë. Kështu ka qenë edhe kur Shqipëria u bë Shtet! Si Ismail Qemali, apo Zogu dhe Enveri, e përforcuan edhe më shumë këtë tipar të popullit tonë të përvuajtur. Për 100 vjet ne jemi sjellë si një popull “ushtar” të gatshëm për të dhënë jetën për një kauzë “ideje” dhe jo për një realitet konkret. Por të kaluarën nuk e ndryshojmë dot. Kemi në dorë të ndryshojmë të ardhmen.

Së dyti: Ka 20 vjet që populli ynë shpreson në ditët që premtojnë maskarenjtë e politikës. Ka 20 vjet që shpreson të shohë “cekun e bardhë”, Europën dhe të ndihet i barabartë me popujt e tjerë të kontinentit të vjetër! Dhe kaq gjatë nuk ka pritur asnjë popull! Sot karvani i gjatë i shpresës na ka çuar në honin e varfërisë. Arsyeja është e thjeshtë: populli nuk ka lëvizur, por ka “shpresuar”. Ka një ndryshim të madh mes të shpresuarit pa asnjë veprim dhe të shpresuarit nëpërmjet pjesëmarrjes. Ne jemi stacionuar tek e para. Ndaj sot jemi në “buzë të greminës”! Politikanët tanë me psikologjinë e “prijësve” të shqiptarëve, kanë bërë të pamundurën që ta lenë këtë popull në historinë e tyre të përgjumur! Ata kanë gënjyer dhe populli u ka besuar deri diku, duke shpresuar se gënjeshtrat nuk do të jenë aq dramatike!

Së treti : Duke mos vepruar, duke shpresuar populli, dita-ditës, ndjeu se shpresa i ka “shkarë “nga duart. Sepse realisht nuk mund të pritet kaq gjatë. Sot, populli ka kaluar në gjendjen e apatisë tërësore me sens indiferentizmin fatalitar. Kjo do të thotë se populli ka humbur shpresën dhe për rrjedhojë i ka forcuar pozitën indiferencës me shprehjen tipike shqiptare: “Kot e keni, nuk bëhet më ky vend!” Ky pesimizëm, që po përhapet si një frymë vdekjeprurëse për Shqipërinë, ka mpakur edhe më aktivitetin popullor! Arsyeja? Sërish është e thjeshtë: Dhe kur disa individë, apo grupe të shoqërisë civile, kanë reaguar dhe kur janë “përveshur mengët” për të ndryshuar, nuk ka ndodhur ASGJË! Askush nuk është dënuar, askush nuk është larguar nga detyra, askush nuk ka mbajtur Përgjegjësinë për fajin, apo KRIMIN e kryer! Mungesa e ndëshkimit të fajtorit e ka bërë popullin edhe më letargjik . Ti denoncon dhe asgjë nuk lëviz. Ti shikon që para teje vidhet një copëz e pronës tënde, të quajtur Shqipëri dhe askush nuk dënohet! Ti përpiqesh të reagosh me një grup qytetarësh ndaj një deputeti apo guvernatori që vjedh dritën për diell, dhe dënohesh ti….Ndaj jam e bindur se indiferenca është tashmë gjendja e të sëmurit,i cili e di që ka kancer dhe nuk ka asnjë besim tek ilaçet, ndaj e le veten në mëshirën e fatit!

Së fundmi: Shqiptarët janë mësuar ta presin zgjidhjen nga “jashtë”. Dhe megjithëse historia ia ka treguar me dhjetëra herë se të “huajt’ veprojnë sipas interesave të tyre, sërish mbajnë sytë e veshët nga ata. Asnjëherë nuk e kemi kuptuar se nëse “të huajt” do të heqin Saliun, ai që do vijë pas tij, cilido qoftë, mund të jetë një Sali tjetër… nëse ne nuk e kuptojmë forcën tonë. Ali Asllani, autori i vargjeve të famshme: Koha është e maskarenjve, por Shqipëria e shqiptarëve, u lind më 28 nëntor 1884! Koincidencë e bukur. Më 1918 ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës, dhe nuk ka kaluar pak kohë që kur ai shkroi ato vargje…

Nëse nuk e kuptojmë se duhet të zgjohemi për të treguar se askush nuk mund të lozë me ne dhe asnjë nuk mund të na mashtrojë, do të na duhet të jemi një popull skllav me maskarenj qeverisës… Ne e kemi në dorë!

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA