Konventat republikane demokrate si një leksion politik

10/09/2012 00:00

MUSTAFA NANO – Me Konventat e republikanëve dhe demokratëve (kjo e
demokratëve u mbyll të enjten me fjalimin e Barack Obama-s), ku u
miratuan zyrtarisht kandidaturat presidenciale, mund të quhet e filluar
fushata elektorale në SHBA. Ishin miliona amerikanë që i ndoqën këto
konventa.

Televizionet patën audienca më të vogla se katër vite më parë, por kjo nuk lidhet me një humbje interesi për ngjarjet në fjalë, apo për politikën. Thjesht, janë shtuar rrugët alternative për t’i ndjekur këto veprimtari të rëndësishme politike.

Ne në Shqipëri nuk mund t’i ndjekim dot live ngjarje të tilla. Më saktë, mund t’i ndjekim, por për këtë do na duhet të vendosim që ta vëmë orën në zile, apo që të mos flejmë fare netëve (fjalimet e Romney-t e Obama-s janë mbajtur midis orës 05.00-06.00 të mëngjesit). Nuk humbim asgjë, megjithatë. Mund t’i ndjekim disa orë më vonë. Sigurisht, humbasim kështu magjinë që ka ndjekja live, por kjo nuk është ndonjë hatá e madhe, pasi një Konventë nuk është ndeshje futbolli. Në terma të informacionit, nuk humbasim asgjë; përkundrazi, kemi avantazhin ta marrim ngjarjen në të njëjtën kohë me jehonën që ajo ka shkaktuar. Fjala vjen, kush është futur në sitet e agjencitë e lajmeve të premten në mëngjes për të lexuar, apo për të ndjekur të regjistruar on line, fjalimin e Obama-s, është ndeshur fillimisht me komentet mbi atë fjalim (meqë jemi në këtë pikë, fjalimi i Obama-s këtë herë nuk ngrohu aq sa ngrohnin fjalimet e tij katër vjet më parë).

Duhen ndjekur Konventa të tilla? Kanë ndonjë rëndësi? Nuk e di. Varet nga interesi që secili ka për politikën në tërësi, apo për politikën amerikane në veçanti. Por një gjë është e sigurt: Nuk është se thelbin e politikës mund ta mësosh nga ngjarje të tilla. Konventat amerikane, ashtu si Kongreset e partive në Europë, e kanë spektaklin jo si mjet, por edhe si qëllim. Kush don të marrë vesh esencën e politikës nuk ka pse të presë nga Konventat, të cilat janë, përveçse përmbajtje, edhe ‘stil, ngjyra, recitim, interpretim, fashion, dukje, klas, etj’. Fjalimet e mbajtura, pra, kanë qenë të mbushura me ide e mesazhe, por në plan të parë, amá, del spektakli, janë duartrokitjet, përqafimet, gjestet, janë oratorët që interpretojnë, janë delegatët që bërtasin, që kapen nga zjarrmia, që përloten, që shprehin me mënyrat e tyre mbështetjen në favor të njërit apo tjetrit.

Por Konventa të tilla, sado të spektakolarizuara të jenë, e kanë, sidomos për ne shqiptarët, një funksion të qartë didaskalik. Edhe sikur të mos kesh, pra, asnjë interes për politikën amerikane, për debatin politik përtej Atlantikut, edhe sikur nga ana tjetër të mos jesh shumë i tërhequr prej versionit televiziv të dialektikës demokratike, Konventat në fjalë do përbënin një leksion. Për shumë arsye, nga të cilat unë po veçoj vetëm dy, jo domosdoshmërisht më të rëndësishmet:

    Në Konventat e fundit, në të gjitha fjalimet që u mbajtën, nuk vihej re asnjë interes për të kryqëzuar kundërshtarin. Sigurisht, kundërshtarët përmendeshin, qortoheshin, evokoheshin me synimin për t’i nxjerrë në një dritë jo dhe aq të mirë, por nuk fyheshin, nuk denigroheshin, nuk baltoseshin. Fjalimet që u mbajtën ishin në një masë të madhe të fokusuar tek projekti politik që duhej shpjeguar, dhe tek-tuk tek kundërshtari. Që të dy, Obama e Romney, e përmendën sho-shoqin nja dy a tri herë në fjalimet e tyre gati 60 minutëshe (diku me emër, diku me apelativin ‘oponenti im’, e diku me titullin ‘President’), dhe në secilin prej këtyre rasteve, asnjëri syresh nuk i lejoi vetes thumba, ironira, e aq më pak akuza. Oratorët e tjerë ecën në të njëjtën rrugë. Edhe fjalimet më të këqija, që u mbajtën, nuk u dalluan për qasje agresive në adresë të kampit tjetër.

Klasa politike shqiptare do duhej ta bënte të vetin këtë mësim. I dëgjojmë shpesh politikanët shqiptarë t’u referohen shembujve e modeleve amerikanë, por më e para gjë që do duhet të huazojnë nga përtej Atlantikut (edhe nga këtej Atlantikut, kuptohet) është kjo qibër publike në marrëdhënien me kundërshtarin. Politikanët shqiptarë duhet të kuptojnë se detyra e tyre nuk është t’na shpjegojnë se kush është kundërshtari i tyre dhe se sa i ndyrë është ai, por është t’na shpjegojnë projektin e tyre politik e qeverisës. Kjo është alfa e dilaktikës demokratike.

    Delegatët në këto Konventa janë një fabul më vete. Ne e përdorim shpesh termin “militant”, madje e përdorim me përbuzje, duke i dhënë një ngjyrim prore negativ, dhe e gjitha kjo ngaqë në kokën tonë kemi një semantikë, të cilën ia asocjojmë kuturú kësaj fjale. Ndoshta janë shtypi e media që, në përpjekje për të denoncuar apo përkufizuar tipologjinë e atyre që i bëhen rrodhe politikës apo partive, me synimin për të marrë në këmbim ca favore, kanë ngatërruar mendjelehtësisht mercenarin e klientin partiak me militantin politik. E vërteta është se militanti nuk ka lidhje me kategorinë e njerëzve që e shohin angazhimin publik e politik si një mënyrë përfitimi. Është krejt e kundërta. Të gjitha përkufizimet që mund të gjejmë nëpër fjalorë mbi militantin kanë të përbashkët një gjë: pasionin për të mbrojtur një kauzë. Militanti bëhet i rrezikshëm kur zgjedh metoda ekstremiste, deri dhe luftën, për të mbrojtur kauzën e vet, por në përgjithësi përkufizohet bujarisht si një njeri i apasionuar pas një kauze, apo pas ca ideve.

Delegatët e Konventave amerikane dukeshin njerëz të tillë, d.m.th militantë të njimendtë politikë, dukeshin nga ai soj që mungon këtyre anëve. Kush ka ndjekur Konventat, sidomos në momentet ‘e nxehta’ të tyre (kur kanë folur kandidatët për Presidentë, zëvendësit e tyre, gratë e tyre, apo personalitete që ndjellin me karizmën apo autoritetin e tyre), ka mundur të shohë delegatët gjithë sy e veshë, me fytyrat që për çdo zhvillim kanë gati një grimasë (shenjë se janë duke ndjekur gjithçka me vëmendje), me entuziazmin që u lexohet në gjithë pamjen e tyre, me të qeshurat, buzëqeshjet, deri dhe lotët, që shoqërojnë e pasojnë pasazhe të forta të fjalimeve të mbajtura. Ky soj militantësh mund të qortohet për një qasje të përciptë e jo fort kritike, gjë që vjen natyrshëm prej luajalitetit (militantët janë rëndom luajalë me udhëheqjen), por janë ata që i japin kuptim pjesëmarrjes në demokraci, janë ata që na mësojnë se, përveç votës njëherë në dy a katër vjet, ne kemi dhe mënyra të tjera për të marrë pjesë në demokraci, dhe një e tillë është kjo përfshirje gjenuine në jetën politike të vendit.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA