Shqipëria e nis me këmbë të mbarë

07/09/2012 22:25

Shqipëria i ka nisur me këmbë të mbarë kualifikueset e botërorit “Brazil 2014” . Kombëtarja ka mundur në ndeshjen e parë Qipron me rezultatin 3-1 në “Qemal Stafa”.

Ishte Sadiku ai që kaloi në avantazh kuqezinjtë në minutën e 36 me anë të një goditjeje me kokë. Miqtë barazojnë në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë me një goditje dënimi të ekzekutuar nga Laban.

Në pjesën e dytë zëvendësimet e italianit Xhani De Biazi rezultuan përcaktuese në fatin e ndeshjes: Hyka, Cani dhe Bogdani, tre lojtarët që hynë në pjesën e dytë të takimit, i dhanë tre pikët Shqipërisë me aksionet e tyre.

Në minutën e 82-të, Hyka kroson në zonë një top të lartë. Cani fiton dyluftimin me mbrojtësin dhe portierin e kundërshtarëve për t’i çuar shifrat në 2-1 me një goditje të lehtë me kokë.

Ndërsa Bogdani vulos takimin me një nga golat më të bukur që janë parë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Shtatlarti i Sienës godet fuqishëm me të djathtën nga 30 metra distancë duke e dërguar topin në këndin më të lartë të portës qipriote dhe duke i dhënë fund kështu çështjes së tre pikëve.

Top Channel