Ja përse nuk duhet të zbythet opozita

07/09/2012 00:00

ANDREA STEFANI – Një intervistë e Edi Ramës në “Vizion+” ka krijuar
perceptimin se socialistët nuk do të kushtëzojnë ndryshimin e
Kushtetutës për heqjen e imuniteteve edhe me një paketë ndryshimesh të
tjera kushtetuese, sikundër kishin dhënë të kuptohej deri më tani.

Nuk mund të thuhet nëse do të ndodhë vërtet kështu, por edhe kaq sa ka ndodhur, është e mjaftë për të shtruar çështjen: A duhet të zbythet PS-ja dhe Edi Rama nga kërkesa që bashkë me heqjen e imuniteteve të bëhen ca ndryshime në Kushtetutë, që do jepnin më shumë garanci për pavarësinë e Kryeprokurorisë, Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë?

***

Duke u përpjekur që krahas heqjes së imuniteteve, të krijojë edhe disa garanci kushtetuese për pavarësinë e Prokurorisë dhe të gjykatave, PS-ja dhe Edi Rama po përpiqen të shmangin disa nga rrjedhojat negative që i vijnë pavarësisë së gjyqësorit për shkak të amendimeve që iu bënë Kushtetutës në vitin 2008. Një përpjekje për ta korrigjuar me vepra një gabim që është pranuar vetëm me fjalë. Kuptohet që kundërshtar të vendosur kanë pasur dhe kanë Kryeministri Berisha që kërkon ta ruajë dhe ta thellojë, në favor të pushtetit të tij, avantazhin e krijuar me amendimet e 2008. Vështirë që Berisha të pranojë të humbë këtë avantazh. Pikërisht për këtë qëllim ai këmbëngul që heqja e imuniteteve të bëhet e pashoqëruar me ndryshime në Kushtetutë, që do t’i hiqnin atij mundësinë të zgjidhte në krye të Prokurorisë dhe të disa gjykatave ca besnikë të tij. Në funksion të këtij qëllimi, Berisha ngriti një propagandë të rreme sikur heqja e imuniteteve ishte kusht i BE-së për marrjen e statusit të kandidatit nga Shqipëria dhe se duke mos votuar heqjen e imuniteteve si ia donte qejfi Berishës, opozita po bllokonte integrimin. Që kjo nuk është aspak e vërtetë sapo u pohua edhe nga vetë ministri i Jashtëm Panariti që deklaroi se “çështja e imuniteteve nuk është pjesë e 12 prioriteteve të caktuara nga Komisioni Europian”. Por pikërisht në këtë moment, nga kampi rozë vijnë sinjale se PS-ja është e lodhur dhe se po kalamendet të heqë dorë nga kushtëzimi, parimor dhe i drejtë, që heqja e imuniteteve të shoqërohet edhe me disa garanci kushtetuese të pavarësisë së Prokurorisë dhe të gjykatave. Pse po ndodh kështu?

***

Ka një sërë shkaqesh. Por para së gjithash duhet të nënvizojmë se heqja e imuniteteve, në kushtet kur Berisha ka fuqizuar ndikimin e tij mbi gjyqësorin (me anë të besnikut të tij Presidentit Nishani) dhe kur pritet të kapë edhe Kryeprokurorin, vështirë se mund të mos përdoret nga ai për shantazh, deri hetime selektive kundër opozitës, nën maskën e luftës kundër korrupsionit. Në të tilla kushte, heqja e imuniteteve nuk do t’i vlente fare luftës kundër korrupsionit (pra, as europianizimit dhe integrimit të Shqipërisë), por vetëm fuqizimit të pushtetit autokratik dhe të korruptuar të Berishës. Ajo ç’ka kanë propozuar socialistët deri më sot, është në përputhje me axhendën e integrimit, sepse është në harmoni edhe me rekomandimin për pavarësimin e drejtësisë dhe luftën reale kundër korrupsionit. Ajo ç’ka këmbëngul Berisha të realizojë, është krejt në kundërshtim me integrimin, sepse tenton skllavërimin e drejtësisë nga pushteti dhe sabotimin e ndëshkimit nga drejtësia të korrupsionit qeveritar. Por çuditërisht, Berisha ia ka arritur që skemat e tij autokratike dhe antieuropiane, t’i paraqesë si thelbësore për integrimin në një kohë që kërkesat europianizuese të opozitës, si bllokuese të integrimit. Si është bërë i mundur ky mashtrim? Shkaqet janë disa, por më me ndikim, për momentin, është roli i përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar në Tiranë. S’dihet me siguri (por merret me mend pse) shumë prej tyre kanë preferuar të flasin në mënyrë të mjegullt, duke mos ndarë shapin nga sheqeri në debatin politik për imunitetet. Kanë folur për nevojën e konsensusit, për shmangien e konfliktit politik, por nuk i kanë dhënë secilës palë atë që meriton. Madje, duke theksuar rëndësinë që ka heqja e imuniteteve për luftën kundër korrupsionit, kanë favorizuar disi qeverinë nga që nuk kanë theksuar fare rëndësinë që ka për këtë luftë edhe pavarësia e Prokurorisë dhe e gjykatave. Një arbitrim i ndershëm, që vlerëson rëndësinë e heqjes së imuniteteve dhe krahas tij, edhe pavarësimin e disa institucioneve, do t’ia kish ngushtuar autokratit Berisha hapësirat për manipulim me “integrimin” dhe “antikorrupsionin”.

***

Gjithsesi, a duhet që opozita socialiste të heqë dorë nga një qëndrim parimor, që ka të bëjë me ndarjen e pushteteve, lirinë e gjyqësorit dhe pra, edhe luftën reale kundër korrupsionit, e ndodhur para dilemës se mos e akuzojnë për sabotuese të integrimit? Opinioni ynë është: Jo! Pavarësisht nga rreziqet dhe kostot, do të ishte e gabuar dhe e pafalshme që socialistët të sponsorizonin me votën e tyre në Kuvend një aksion të shumicës që, qartazi, ka objektiv jo luftën kundër korrupsionit, por fuqizimin e një pushteti gjithnjë e më absolut që nuk mund të mos pjellë edhe më shumë korrupsion. Do të ishte e gabuar, sepse në emër të integrimit do të votonin një nisiativë që nuk ka të bëjë fare me integrimin, madje që është kundër tij. Do të ishte tradhtia e dytë që PS-ja do i bënte parimit të ndarjes së pushteteve pas asaj së parës të bërë në prill 2008. Opozita do të fuqizonte me votën e saj autokratin Berisha, në një kohë që i premton shqiptarëve largimin e tij nga pushteti. Ç’ka është më e rëndësishme, do demonstronte se nuk i ka në gjak parimet që themelojnë demokracinë dhe lirinë, prandaj dhe nuk e ka shumë problem t’i braktisë ato. Dhe nëse qëndresa në mbrojtje të parimit të ndarjes së pushteteve, që është themelore për lirinë rrezikon të ketë, për shkaqe që nuk mund të analizohen këtu, humbjen? Përgjigjja do të ishte: Më mirë të humbësh në mbrojtje të parimeve të lirisë, se sa të fitosh duke kontribuar në dhunimin e tyre. Ndryshe ç’të dallon nga pushteti dhe… Berisha?

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA