
Një sipërmarrje e re, sportive dhe ambjentaliste, është ajo e
presidentit rus Vladimir Putin. Pasi është veshur me një tutë të bardhë
dhe një helmetë të madhe, presidenti ka marrë drejtimin e një deltaplani
me motor në Siberi për të fluturuar.
Shefi i Kremlinit ka kultivuar gjithmonë imazhin e tij prej një njeriu sportiv, kurajoz dhe që adhuron natyrën. Në të kaluarën ai ka pilotuar avionë, ka vënë në gjumë tigrat siberianë (me qetësues kuptohet) dhe u është afruar arinjve e balenave.
Por kurrë më parë nuk kishte drejtuar një deltaplan dhe për ta bërë këtë ka blerë një të tillë me paratë e tija dhe ka ndjekur një kurs prej 17 orësh fluturim.
Megjithatë, ish-oficeri i KGB-së para nisjes ka marrë udhëzime nga një person i ulur pas tij me të njëjtën veshje.
Pavarësisht erës së fortë, presidenti është ngritur në ajër dy herë pas një prove, në Kushevat të gadishullit të Jamalit, në afërsi të rrethit polar arktik.
Top Channel