Duke parë hartën e Shqipërisë, fshati Vermosh të tërheq vëmendjen në mënyrë instinktive. Është pika më veriore e Shqipërisë. Rruga për atje është një aventurë fizike, por një kënaqësi për sytë.
Pasi ke lënë Shkodrën dhe ke hyrë zyrtarisht në malësitë e Kelmendit, pamja është fantastike. Vermoshi nuk është destinacioni klasik i alpeve shqiptare. Shumë më të marketuara janë Thethi apo Valbona, por ky destinacion do t’ju japë shumë më shumë emocion nëse kërkoni kontakt me natyrën në 2000 metra lartësi.
Jemi nisur pa asnjë plan dhe pa asnjë ide se kë do të takojmë e çfarë do të gjejmë. Para se të mbërrijmë në Vermosh ndalemi në fshatin turistik të Lepushës, vetëm 20 minuta nga destinacioni ynë.
Rikthehemi në rrugë. Rrugës shkëmbehemi me turistë të ndryshëm ndërkohë që për akomodimin ka një mangësi të madhe qoftë edhe në tabela informuese. Nëse prisni që të gjeni ndonjë restorant të mirëfilltë keni ardhur pak larg, por ama në Shqipëri mund të bujtni kudo.
Një kamion i çuditshëm na tërheq vëmendjen. Ka ngjyra ushtarake, por vumë re në vendin e pasagjerit një grua çka e bënte disi të pazakontë kuadrin. Teksa i ndalojmë njihemi me familjen Shvarc nga Shtutgarti i Gjermanisë dhe ky kamion është shtëpia e tyre e pushimeve. Kristian Shvarc ka marrë gjithë familjen e tij me vete.
“Është hera e katërt që vijmë në Shqipëri sepse jemi të dashuruar me këtë vend dhe mbi të gjitha me këtë lloj turizmi. Le të themi që na kanë ardhur në majë të hundës komplekset turistike dhe hotelet e zakonshme, pasi ne na pëlqen të kemi liri absolute dhe të shkojmë ku të duam dhe kur të duam.”
Ai ka mbi kamion gruan, dy vajza 13 dhe 14-vjeçare dhe një djalë të porsalindur, por në këtë kamion-kamper ka bërë vend dhe për qenin e tij besnik: “Ne kemi kërkuar gjithmonë një lloj turizmi të egër. Sigurisht kemi pushuar në qytete, por emocioni i vërtetë i një vere për tu mbajtur mend është pikërisht turizmi i egër.”
Kur ke shtëpinë tënde lëvizëse mbi një kamion që mund të përballojë çdo lloj rruge, gjërat bëhen më të lehta: “Jemi pa plan dhe pa adresë. Udhëtojmë nëpër male apo brigje dhe nësa na pëlqen panorama ndalojmë aty.”
Bashkëshortja i kujton zotit Shvarc të tregohet mikpritës dhe na fton brenda: “Ky është një pasion i përbashkët i yni, pra natyra e egër. Në këtë drejtim Shqipëria është vendi ideal, edhe rrugët e pashtruara që juve ju bezdisin ne na kanë pëlqyer shumë.”
Kur sheh një nënë me një të porsalindur në krah sigurisht që nuk mendon që ajo bën 2 orë ecje në mal për zbavitje: “Edhe pse këtë verë jam me bebe, sërish po zbavitem shumë. Nuk eci dot sa vitin e kaluar, por dal në mal. Ne nuk na pëlqen të shohim orën, por e marrim ditën si të vijë.”
Pasi përshëndetemi me këtë familje të madhe, bëjmë një takim akoma më të çuditshëm. Duke zbritur i vetëm shpatin me një çantë në shpinë takojmë Davidin nga Cekia, i cili udhëton në këtë pjesë të skajshme të Shqipërisë krejt i vetëm.
“Më pëlqen të udhëtoj vetëm. Do të qëndroj edhe tre ditë në Shqipëri. Nuk kam tendë apo çadër sepse nuk më duhet pasi koha ka qenë shumë e mirë dhe kam fjetur në qiell të hapur”, tregon Davidi.
Davidi doli nga shtëpia e tij dhe mbërriti në alpet shqiptare thjesht sepse miqtë e tij i kishin thënë fjalë të mira për natyrën e vendit tonë: “Këtu kam mbërrritur me autostop. U nisa pa plan dhe e gjeta veten në alpet shqiptare. Kisha dëgjuar fjalë të mira dhe pata mundësi t’i vërtetoj vetë ato fjalë.”
Top Channel