Kjo është një prej pikave turistike të Shqipërisë e cila të mahnit me gjeografinë e saj. Territori ynë është i mbushur me vende të tilla të virgjëra ku këmba e njeriut ka filluar t’i zhbirojë, por ku ende nuk është vënë dorë mbi arkitekturën e natyrës. Zona, relieve dhe plazhe ku natyra të fton të bëhesh njësh me pjesën më të bukur të saj.
“Pasdite” realizoi një prej këtyre itinerareve. Plazhi i Gjipesë është objektivi, një gji i virgjër në zonën e Himarës.
Për të mbërritur deri në Gjipe duhet të devijosh gati dy kilometra me makinë nga rruga kryesore. Pjesa tjetër duhet përshkuar me këmbë pasi infrastruktura nuk e mundëson kalimin e automjeteve, përveç atyre të tipit 4×4.
Por, nëse do të vizitoni Gjipenë duhet të keni parasysh që mungojnë shumë gjëra, duke nisur nga uji.
Cuditërisht vizitorë nga Prishtina e kanë zbuluar këtë vend të virgjër: “Ka shumë qetësi dhe kjo gjë më pëlqen shumë. Pushimet kërkojnë qetësi.”
Gjipea është një oaz i vërtetë pushimi me një det të mrekullueshëm dhe një plazh krejtësisht të paprekur, por të apasionuarit e ngjitjeve në shkëmb këtu kanë mundësinë e të kacavjerrurit në disa pika të ndryshme, madje zona ofron edhe një kanion të mrekullueshëm, i tëri për tu eksploruar.
Teksa vizitorët dhe pushuesit ditorë i largohen këtij vendi në mbrëmje, e vetmja që nuk e braktis plazhin është një çadër kampingu ku zotëruesit e saj janë zotuar se do të largohen vetëm kur të mbarojë vera.
“Na pëlqen qetësia dhe lirshmëria që të lejon ky vend. Gjithashtu na leverdis më shumë nga ana ekonomike. Kemi dy muaj këtu. Kur duam të blejmë ushqime shkojmë me varkë në zonat përreth.”
Ky ishte vetëm një prej vendeve të panumërta që ofron Shqipëria jonë e virgjër, vende ku me pak shpenzime dhe me shumë kreativitet mund të kalosh pushime të paharruara larg rutinës së përditshme.
Top Channel