Del Piero në Australi

05/09/2012 12:00

Alessandro Del Piero ka vendosur: Sydney FC do të jetë aventura e tij e re në futboll.

Pas lamtumirës nga Juventusi, ish-kapiteni i bardhezinjve do të transferohet në Australi ku e pret një kontratë 2-vjeçare prej 3.2 milionë eurosh në sezon.

Për 37-vjeçarin ishin të interesuar edhe Liverpool, Sion, Basel dhe Celtic, por sulmuesi ka zgjedhur A-League, ku do të ketë edhe rolin e ambasadorit të futbollit.

Në konferencën për shtyp, Del Piero deklaroi: “Është një ditë e veçantë për mua. Jam i lumtur për kontratën që kam nënshkruar me Sydney FC. Do të nis një aventurë të mrekullueshme dhe në fund të karrierës sime nuk mund të gjeja një vend më të mirë për të luajtur se Australia. Falenderoj të gjitha klubet e interesuara për mua.”

Më tej, lojtari që për 19 vite ka luajtur me Zonjën e Vjetër, shtoi: “Do të jetë një ndryshim i madh për mua duke pasur parasysh se kam pasur një karrierë lineare. Dua të shënoj sa më shumë gola me ekipin tim të ri dhe shpresoj që futbolli të përparojë në Australi edhe falë ndihmës që unë do të jap. Dua që të kontribuoj në shndërrimin e futbollit në Australi në një nga sportet kryesore.”

Top Channel