El Sharaawy: Më mirë pa Ibrën

04/09/2012 18:20

I shndërruar në një titullar fiks në këto javë të para të sezonit tek Milani, “Faraoni” El Shaarawy zbuloi se sa e vështirë ishte të bashkëjetoje me Ibrahimovic, ndërsa foli me optimizëm për sezonin që pret kuqezinjtë.

”Ishte shumë e vështirë të fitoje respektin e Zlatan”, shprehet 19-vjeçari në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”. “Në të vërtetë, e kam respektuar gjithmonë, por marrëdhënia me të ishte e vështirë. Për të shkuar mirë me Zaltan duhet t’i kaloje gjithmonë topin, ndryshe mund të prisje në çdo moment ndonjë shpërthim. Ibrahimovic duhet të dish ta kuptosh, ndryshe mund të acarohesh shumë lehtë”.

Sulmuesi është vendosur në qendër të vëmendjes disa herë për shkak të stilit të tij të çuditshëm të flokëve. “Sapo mbërrita në Milano më kërkuan që të qethesha”, zbulon ai në intervistë. “Gattuso ishte ai që më kritikoi më shumë. Më tha që duhet të mendoja vetëm që të luaja, për asgjë tjetër. Një lojtar dhe njeri i madh. Do të na mungojë”.

El Sharaawy, i cili në intervistën e tij pranoi se është bërë shumë më tërheqës për femrat që pas kalimit në radhët e Milanit, foli për “emocione të pabesueshme kur luan përballë 80 mijë njerëzve në “San Siro”. E vetmja mënyrë për të mos menduar për këtë është të ecësh me një mijë në orë dhe të ndjekësh vazhdimisht çdo top, pasi në fund të fundit është kjo për të cilën njerëzit paguajnë”.

Top Channel