Publikimet e fundit në shtypin botëror ndezin përsëri skenaret e frikshme për daljen e Greqisë nga eurozona dhe falimentimin e saj.

Me titullin “Bizneset amerikane përgatiten për kthimin e dhrahmisë”, e përditshmja “New York Times” shkruan se banka amerikane “Merrill Lynch” po mbush kamione me para kesh në mënyrë që t’i dërgojë pranë kufijve grekë në rastin e një “Grexit” të mundshëm, pra të daljes së Greqisë nga zona e monedhës së përbashkët.

Në këtë mënyrë, shton autori i artikullit, do të sigurohen paratë e të punësuarve në bizneset amerikane në Greqi pa u krijuar probleme nga kthimi i monedhës.

Gjithashtu, theksohet se kompania e prodhimit të makinave “Ford” ka ndryshur sistemin kompjuterik të saj në mënyrë që të përdorë lirshëm monedhën e re, ndërsa “JP Morgan Chase” ka krijuar llogari të reja bankare për shumë kompani amerikane, në mënyrë që të jenë të përgatitura për këtë rast.

Nga ana tjetër, sipas “Financial Times”, më shumë se gjysma e gjermanëve besojnë se Greqia do të braktisë euron, sipas një sondazhi që ka intervistuar 1.000 persona nga Gjermania, Italia, Spanja, Britania dhe Franca.

Në kundërshtim me gjermanët, optimistë për Greqinë janë 77% e italianëve dhe 57% e spanjollëve, ndërsa francezët shfaqen të dyzuar edhe për çështjen e një ndihme suplementare për Athinën.

Ndërkohë, sipas një interviste të kreut të organizatës joqeveritare “Global Financial Integrity”, Raymond Baker për revistën gjermane “Der Spigel”, mbi 261 miliardë dollarë që vinin kryesisht nga veprimtari kriminale, korruspion dhe evazion fiskal, kanë ikur nga Greqia në tetë vitet e fundit dhe gati 200 miliardë të tjera kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në dy vitet e fundit me të njëjtin qëllim, blerjen e pasurive të paluajtshme me çmime të ulëta nga kriza dhe për t’i shitur ato më vonë me një çmim më të lartë.

Sipas Baker, Greqia është një nga vendet me korrupsionin më të lartë në BE, ndërsa para krizës ishte vendi i dytë nga 25 vende që u vëzhguan nga OECD, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, me ekonominë më te madhe informale, duke u renditur pas Meksikës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA