Riemërtimi i katër shkollave me emra të personaliteve shqiptare në Komunën Cair të Shkupit ka shtuar edhe më tepër tensionet mes dy partnerëve të koaliconit qeveritar BDI dhe VMRO-DPMNE.

Kryetari i Cairit, Izet Mexhiti, që është kuadër i BDI-së, ka vendosur të mos e përfill ministrin maqedonas të arsimit Pance Kralev, i cili për disa muaj me radhë po pengon vendimin e Komunës që këto shkolla me mësim në gjuhën shqipe të heqin emrat e personaliteteve maqedonase dhe të emërtohen sipas figurave shqitpare.

Nga Ministria e Arsimit e kanë cilësuar si të paligjshëm aktin e riemërtimit të katër shkollave të shqiptarëve në CAir dhe kanë paralajmëruar masa kundër drejtuesve të shkollave.

Pançe Kralev, ministër i Arsimit në Maqedoni, deklaroi: “Inspektorët e arsimit janë në terren dhe sipas rastit do të vendosen gjoba për drejtuesit e shkollave dhe masa korrektive. Kjo do të bëhet ditët në vijim dhe do të ketë afat brenda të cilin drejtorët e shkollave do të duhet të veprojnë në bazë të masave të parashikuara. Ligji parasheh gjoba për subjektin juridik dhe për drejtorin e shkollës.”

Por nga partia shqiptare në pushtet BDI thonë se vendimi i ndërmarrë nga komuna Cair është i drejtë. Ky vendim, sipas zëdhënësit të BDI-së, Bujar Osmani, nuk ka të bëjë me raportet midis partnerëve të koalicionit dhe nuk është provokim ndaj askujt.

Tabelat e reja me emrat e personaliteteve historike shqiptare “Ismail Qemali”, “Hasan Prishtina”, “Imri Elezi” dhe “Jashar Bej Shkupi” janë në katër shkollat e Cairit ditën e premte. Drejtori i Inspektoratit për Vetëqeverisje Lokale Vanco Shehtanski ka paralajmëruar se këto tabela do ti largojë me polici nëse nuk hiqen nga drejtuesit e shkollave.

Ndërkohë, analsitët në Shkup thonë se tenstionet e fundit janë vetëm një krizë e sajuar mes BDI dhe VMRO për rritje të rejtingut partiak.

Top Channel