
Produksioni italo-shqiptar “La nave dolce” është pritur me interes nga media dhe publiku i përzgjedhur, i cili e ka ndjekur në premierën e tij jashtë konkursit në edicionin e 69-të të Festivalit të Venecias në Itali, ku është seleksionuar për t’u shfaqur si një eveniment i rëndësishëm.
Për herë të parë një film i realizuar nga një regjisor italian, sheh me sy kritik peripecinë e 20 mijë shqiptarëve që zbriten në brigjet e vendit fqinj me anijen Vlora, paas hapjes se kufijve në gusht të vitit ‘91.
Dokumentari sjell dëshmi të personave që kanë përjetuar nga afër këtë aventurë të dhimbshme dhe pamje reale të kohës marrë kryesisht nga fotoreporteri italian Luca Turi, i cili ka filmuar në kohën e ngjarjes anijen e mbushur me shqiptarë që kishin lënë vendin e tyre për një jetë më të mirë në Itali.
“E quajtën anija e ëmbël sepse sillte sheqer. Shqiptarët që ishin në të për t’u ushqyer gjatë udhëtimit hanin sheqer. Nuk di si ja bëri kjo anije të sjellë 20 mijë njerëz dhe si ja bëri komandanti i kësaj anijeje për ta drejtuar atë, kur ishte komplet e mbuluar nga njerëzit? Si e solli atë në Bari mes vështirësive si ajo e motorri, i cili nuk funksiononte mirë?”, thotë fotoreporteri, Luca Turi.
Pas shfaqjes në Sala Grande në Venecia, ku u prit me ovacione nga të pranishmit në sallë, filmi ka shkaktuar jehonë në median italiane me intervista të ekipit realizues në kanale si RAI UNO dhe artikuj në të përditshmen Corriere Della Sera.
Dokumentari mban firmën e regjisorit Daniele Vicari dhe është realizuar nga Indigo Film në bashkëpunim me Rai-Cinema, Apuglia Film Commision dhe shtëpinë filmike shqiptare “Ska-ndal”.
Një ndihmë e vecantë në realizimin dhe prodhimin e tij është dhënë edhe nga kompania Digitalb së bashku me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit në Shqipëri.
Top Channel