ARTAN MULLAJ – Zgjedhjet po afrojnë dhe në çdo rast, mobilizimi i
ethshëm që po rrëmben palët, të majtët dhe të djathtët, do të tregojë
edhe njëherë se shqiptarët e politizuar janë një popull i ndarë.
Ndarja politike e ditës është e dhunshme, e dhimbshme. Në zonat rurale, ky lloj polarizimi është më i spikatur. Të majtët pinë kafe në lokale ku nuk shkelin të djathtët, dhe në ahengjet e “të djathtëve”, ku zakonisht shijohen privilegjet e pushtetit dhe qejfet, nuk guxojnë të afrohen të tjerët. Ndodh që edhe krushqitë mes tyre janë në mbikëqyrje të rreptë politike. Fejesat bëhen aq më të kujdesshme, sa më të polarizuara janë palët. Bie fjala, mund të ndodhë që krushqve të nuses, më shumë se ngjyra e lëkurës së dhëndrit, u intereson ngjyra e librezës së partisë ku aderon. Aderimi, apo marrja pjesë, e shpjeguar vrazhdë si militantizëm, është kusht, është mënyrë jetese, është ekzistencë. Varfëria është një motiv i mirë për të ndjekur pas liderët e partive. Shkolla, pasuria, morali, gjendja penale, si barriera të lehta në jetë, lihen të shqyrtohen më pas. Fëmijët socialistë luajnë këtej bregut të lumit dhe demokratët andej. Disave u ndrin yndyra në lëkurë, dhe gusha u varet, të tjerët janë të pangopur, si jetimët te “Lulëkuqe mbi mure”. Ndarja politike po e sfidon madje edhe ndarjen fetare, dhe kjo është një gjë e rrallë në rajon. Ndërsa vajzat krishtere joshin gjithnjë e më shpesh myslimanët vërdallë, pa e çarë kokën për ritet dhe zakonet që edukon kisha, vajzat demokrate përkundrazi, janë një histori e ndaluar për socialistët azganë që besojnë Edi Ramën. Dhe anasjelltas. Flirtet mes të rinjve që militojnë në kampe kundërshtare janë duke u shuar. Vështirë të lindë dashuria mes tyre.
***
Largësia fizike prej qendrave urbane nuk e zbut aspak egërsinë elektorale të palëve. Njëlloj fodullëku malësor, fryhet si brumi në furrë, vetëm nëse fshatarët janë militantë të pushtetit. Përndryshe do të jenë kokulur. Banorët e rralluar të të njëjtit fshat, “me thika në duar”, qëndrojnë në barrikadat e partive të tyre duke urryer. Nëpunësit e komunave përçmojnë ish-nëpunësit, të pezulluar rishtas mbas zgjedhjeve të radhës. Njëra palë është rrezik për bukën e palës tjetër. Sa kohë flitet për bukën e fëmijëve, ky rrezik ndez urrejtje. Është një luftë gjallesash për ekzistencë, që ushqehet nga një pasion ogurzi, qysh kur ky ekstremitet përfundon me prishje të traditës dhe zakonshmërisë. Frazat, “nuk drekoj aty, se pronari është socialist”, “ftesë më ka bërë, por dhëmbin kaq ta bëjë, në dasmë nuk shkoj, se është hajdut, si kryetari i komunës”, “vlla e kam, po kokën le të hajë, qysh se rri me malokët”, “po është i atij krahu, po s’është yni, hiqi vizë mo, mos e zgjat!” etj., janë të shpeshta në fjalorin fshatar si përshëndetjet e mëngjesit… Të përngjashme me kode burrërie, këto fraza janë të gatshme në gojën e çdokujt. Ato tregojnë se “ruralët” e marrin gjithnjë e më shumë seriozisht politikën. I shërbejnë verbërisht marrëzisë së saj. Dhe ndoshta kanë të drejtë. E marrin seriozisht, jo thjesht për të shfryrë pasojat e instinktit shkatërrimtar të origjinës (instinkti që nxit babëzinë për pushtet). Jo thjesht për të nxjerrë sheshit përshtatjen me kruzmat e reja të përndarjes dhe përçarjes më të madhe të shqiptarëve. E marrin seriozisht se në vetëdijen e tyre, militantizëm në politikë, përballje, kundërshti, urrejtje, mosbashkëpunim, do të thotë bukë e gojës, mirëqenie, shkollim, ardhmëri për fëmijët.
***
Edhe në kohët e para të tranzicionit, shqiptarët nuk kanë shkëlqyer nga vullneti i mirë për të bashkëpunuar e ndenjur bashkë. Çdo futje me dhunë në kujtesë nuk ndihmon shumë. Kjo veti shpesh e pathënë, prirja për t’u çharmonizuar, për t’u përçarë, për t’u urryer, ra në sy dhe në emigrimin modern të tyre. E filluan aventurën e emigrimit të dëshpëruar dhe indiferentë. Më kujtohet njëherë se si para disa vitesh, në shtypin grek, u pasqyruan reagimet e medias për dy ngjarje që lidheshin, njëra me emigrantët shqiptarë, tjetra me emigrantët rusë.
Policia greke kish vrarë në fillim një emigrant rus, që vidhte celularë në stacionin e trenit, në tentativë arratie, dhe më pas një emigrant shqiptar, bojaxhi, për të njëjtën arsye: Mosbindje ndaj forcave helene të rendit! Pas këtyre ngjarjeve të rënda, diskutimi në mediat greke kish të bënte me mënyrën se si funksionojnë instinktet nacionale, bazuar në sjelljet e palëve. Ndërsa vrasja e emigrantit rus shkaktoi trazira dhe një protestë të fortë masive të emigrantëve rusë, të cilët shkatërruan dyqane, dogjën makina, madje sulmuan edhe policinë e qytetit, me molotov dhe me gurë, e kundërta ndodhi me shqiptarët. Emigranti shqiptar që humbi jetën padrejtësisht në rrugë, u harrua pa vdekur mirë. Më së pari, u shpërfill nga vetë emigrantët shqiptarë. Nuk pati asnjë reagim a protestë, a thua, nuk ishte njëri prej tyre. Heshtje gjenetike ndaj vdekjes, inferioritet, cinizëm apo civilizim spektakolar i shqiptarëve është kjo sjellja e tyre, pyesnin gati të shqetësuar analistët grekë, që nuk e kuptonin dot abuzimin braktisës të “alvanozëve”. A kanë ndjeshmëri nacionale këta njerëz? A kanë respekt, sikundër rusët, për dheun e tyre dhe për gjakun e tyre? …Ndarja politike sot e bën edhe më “alpore” këtë “mungesë të ndjeshmërisë nacionale”, që përmendnin analistët grekë. E ka çuar në nivelin e kuq. E ka thelluar frikshëm hendekun në mes të shqiptarëve, duke rrezikuar ta shndërrojë në një vetëgërryerje kombëtare.
***
Mungesa e harmonisë ka ekzistuar ndoshta gjithmonë. Njeriu shqiptar kundër vetes, është një koshiencë e hershme, e lindur, me sa dihet, qysh herët nga kanunet e moçme. Gjakmarrjet, të cilat kanë përgjakur brezat shqiptarë nëpër shekuj, vazhdojnë të rrezikojnë edhe sot qenien e tyre. Por kish një ndryshim. Më shumë se nga urrejtja, ato frymëzoheshin nga qasja burrërore për të ruajtur ligjësinë kanunore si etalon të drejtësisë. Krijohej përçarje dhe urrejtje mes llojit, për shkak të drejtësisë që besohej. Po sot? Sot, përkundrazi, nuk bëhet më fjalë për drejtësi, por për babëzi. Sot drejtësia e ditës në vend është një gjë më e rrallë se fantazmat. Edhe për shkak të politikës. Politika i ka shtyrë njerëzit në një përçarje dhe në një përndarje të re, ku spikat përjashtimi dhe ku gëlon urrejtja e qartë për llojin, për gjenin. Është ajo që synon në vazhdim ndarjen, jo bashkimin, kundërshtinë, jo bashkëpunimin, sherrin, jo marrëveshjen.
***
Nëse ne jemi një popull që urrejmë vetveten, kjo do të thotë harbutëri që shkon drejt kaosit. Kjo harbutëri e pamëshirshme ndaj vetes është e pakuptimtë. Por meqenëse thjesht ndodh, s’na mbetet veç të pyesim veten. Është një dëm gjenetik i origjinës sonë prirja për t’u përçarë, për t’u urryer, apo ne jemi viktima të ngjarjeve të kobshme historike, prej të cilave, si kafshët nga kopshti zoologjik, kemi dalë me plagë të përhershme psikike? Çoroditja ka ndodhur kur? Dashuria për veten ka filluar të shuhet natën e Turqisë, apo komunizmi ishte ai që e shkatërroi barbarisht ndjeshmërinë kombëtare dhe bashkë me të edhe harmoninë? A ka vërtet rol tranzicioni në ndezjen e kësaj urrejtje të fshehtë për vetveten, apo qasja drejt poleve për të shtuar urrejtjen e njërit për tjetrin, është në natyrën tonë? Kush mund ta thotë? Ne shohim pasojën. Pasoja e parë e urrejtjes është mosdashuria! A mundet një popull të ketë një mungesë të tillë dashurie për veten, sa të synojë jo harmoninë, por armiqësinë?
***
Më lart përmenda shembuj të përçarjes shqiptare, si një fatkeqësi rurale, që si një re mallkimi, sa më shumë u afrohet qyteteve, aq më shumë i zymton ato. Sigurisht, janë të njëjtat arsye dhe të njëjtat pasione që shoqërojnë këtë copëzim mentaliteti të shqiptarëve, edhe në qendrat urbane, në qytetet e mëdha. Madje në to, polet e politikës lëshojnë shkëndija, janë gati për shpërthim. Sot, copëtimi elektoral i vëmendjes publike në qendrat urbane sjell çoroditje. E drejta e dikujt, e një pale, është padrejtësi për pjesën tjetër, që nuk është thjesht një pjesë, por gjysma e së tërës. Ndarja në balancë e grupimeve dhe perceptimeve të tyre, e bën sa një mal problemin shqiptar, sepse zhvlerëson drejtësinë dhe rëndësinë e saj në konsolidimin e demokracisë. Nëse kemi dy opsione, dy konkluzione, dy drejtësi, ndërkohë që drejtësia, nuk mund të jetë veçse një, jemi një hap larg anarkisë. E drejta nuk mund t’u takojë njëherësh dy palëve, ndërkohë që për palët nuk ka rëndësi drejtësia, rëndësi ka ajo çka besohet prej tyre si e tillë. Copëzimi i saj, ndarja në mes e saj, është një padrejtësi dhe si çdo padrejtësi, mund të sjellë rreziqe edhe më të mëdha.
Top Channel