Do të hapet më 4 shkurt 2013, në bazën ushtarake Fort Meade, në Merilend, proçesi gjyqësor kundër Bradley Manning, ushtari amerikan që dyshohet se i kaloi informacionet themeluesit të Wikileaks, Julian Assange.
Lajmin e ka bërë të ditur për mediat amerikane gjyqtarja Denise Lind, duke saktësuar se gjyqi do të vazhdojë deri më 15 mars.
Manning akuzohet se i ka kaluar Julian Assange dokumenta ushtarake amerikane mbi luftrat në Irak dhe Afganistan, si dhe 260 mijë kabllograme të Departamentit të Shtetit. Për këto akuza, ushtari rrezikon të dënohet me burgim të përjetshëm.
Më herët gjatë muajit, në një fjalim, vetë Assange i kërkoi Uashingtonit që të ndërpresë proçesin ndaj Manning dhe gjuetinë e shtrigave ndaj Wikileaks.
Vetë Assange ndodhet ende i mbyllur në ambasadën e Ekuadorit në Londër. Pavarësisht se vendi latin i ka dhënë atij të drejtën për azil politik, ai nuk del dot nga selia diplomatike pasi rrezikon të arrestohet.
Nëse arrestohet, ai do të ekstradohet në Suedi, ku akuzohet për agresione seksuale, akuza të cilat ai i mohon.
Strehimi i tij në ambasadën ekuadoriane bëri që mes këtij vendi dhe Mbretërisë së Bashkuar të krijohej një krizë e rrezikshme diplomatike, por që për fat të mirë u sheshua në ditët e fundit.
Top Channel