Tërmet në Filipine, shkatërrohen ura dhe rrugë

31/08/2012 00:00

Lëkundje tërmeti me magnitudë 7.6 të shkallës Rihter u regjistruan në Oqeanin Paqësor duke detyruar shumë vende të Azisë Lindore e Jug-lindore të shpallnin gjendjen e alarmit nga frika e gjenerimit të një tsunami.

Sipas institutit sizmiologjik amerikan, USGS, epiqendra e tërmetit u regjistrua 139 kilometra në lindje të Sulangan në Filipine në një thellësi prej 33 kilometrash.

Alarmi i tsunamit u dha nga Qendra e Vëzhgimit të Tsunameve në Paqësor që fillimisht e vlerësoi situatën tejet të rrezikshme duke prezantuar edhe një hartë të gjërë të vendeve që rrezikoheshin nga dallgët gjigante.

Fatmirësisht, pak orë më vonë, gjendja e alarmit u tërhoq pas vlerësimeve se dallgët e ngritura nga lëkundjet e tokës nuk përbënin rrezik për banorët e vendeve përreth.

Alarmi për tsunami u lëshua në Japoni, Filipine, Tajvan, Guam dhe Guinenë e Re. Në Filipine autoritetet urdhëruan zhvendosjen e banorëve nga zonat bregdetare.

Ndërkohë, një deputet vendas i cituar nga agjencia e lajmeve “Reuters” bëri të ditur se lëkundjet e vazhdueshme sizmike kanë shkatërruar rrugë dhe ura dhe njerëzit janë detyruar të largohen për në zona të larta të vendit.

Gjithashtu, i njëjti burim shtoi se nga vala e tërmeteve një grua ka humbur jetën ndërsa një fëmijë ka mbetur i plagosur dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, në një spital të ishujve.

Sipas të njëjtit burim, autoritetet kanë udhëruar evakuimin e gjashtë provincave bregdetare dhe i kanë bërë thirrje popullsisë që të spostohet në lartëtë e vendit.

Zona është e njohur për aktivitetin sizmik të lartë. Pikërisht, në tabanin e Detit të Filipineve shtrihet ajo që sizmiologët dhe gjeologët e quajnë Pllaka e Paqësorit.

Lëvizjet e saj jo rrallë herë shkaktojnë tërmete të forta si ai i 17 gushtit të 1976-ës me magnitudë 7.9 të shkallës Rihter që shkaktoi rreth 8 mijë viktima në Filipine dhe vendet përreth.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB