Andrea Stefani – Mbreti Luigji XIV deklaronte: Shteti jam unë! Sali Berisha nuk e thotë,
por e bën një gjë të tillë. Në asnjë shtet në botë nuk mund të shohësh
për natë e për ditë një Kryeministër që i flet “popullit” nga ekrani.

Një populizëm i pështirë mediatik që u ka dhënë jo pak televizioneve fytyrën e Kryeministrit duke i shndërruar dashur pa dashur në altoparlantë të propagandës së tij sa ngrehaluce aq mashtruese edhe vulgare. Shqipëria ngjason sot me një odë të madhe patriarkale, ku plaku Mere u bën përnatë moral djemve dhe i dikton se ç’duhet të bëjnë. Edhe një çezmë po të përurohet, shiritin do ta presë Saliu. I gjithë pushteti është ngritur mbi kultin e këtij njeriu që shfaqet kudo, kurdo dhe flet për gjithçka! Ai për arrorët, Ai për naftën, Ai për gazin, Ai për plehrat, Ai për bankat, Ai për ushtrinë, Ai për shkencën dhe artin, shkollën dhe universitetet, Ai për sportin dhe Olimpiadat, Ai deri edhe për zhurmën e lokaleve gjatë verës apo për pastrimin e çative nga bora në dimër. Të krijohet përshtypja se në Shqipëri nuk ka ministra, por vetëm një oktapodh që qeveris gjithçka. Ka momente ku Ai po i jep këshilla edhe Europës si ta zgjidhë krizën! Kaq e hatashme është megalomania e Kryeministrit “të madh” të një shteti jo vetëm të vogël, por edhe të rrudhur nga varfëria. Por ai nuk e percepton këtë rrudhje, sepse vetë është bërë i pasur.

 

***

Nëse Saliu vendos që të bëhet diçka, ajo do të bëhet, pavarësisht se çfarë thotë Kushtetuta. Madje ai ka nisur ta përsosë këtë formë sundimi duke pasur kujdes që ta bëjë në përputhje me Kushtetutën. Për këtë i kanë volitur edhe disa lajthitje fatale të opozitës. Saliu ka vendosur që t’ia falë një pjesë të detit Greqisë dhe pavarësisht se ç’tha Kushtetuesja, vullneti i tij do të realizohet se s’bën. Ky është edhe thelbi i rinisjes së negociatave me Greqinë. Sa ishte në opozitë, Saliu e nëmi Fatos Nanon për privatizimin e Telekomit apo për importin e plehrave. Dhe ato nuk u bënë se kështu ishte vullneti i Saliut. Por me të ardhur në pushtet, vullneti i Saliut ndryshoi. Edhe privatizimi i Telekomit u bë, edhe importi i plehrave po ashtu. Berishës i ka shkrepur në mendje që ta zhveshë opozitën nga imuniteti. U ka hedhur trutë e gomarit edhe disa perëndimorëve, se gjoja kjo duhet bërë për të luftuar korrupsionin. Opozita pati më në fund zgjuarsinë të mos e japë konsensusin për këtë kurth që i përgatiste Saliu. Por Saliu ka një vendosmëri të pathyeshme prej lideri historik. Ai ka shpallur se do ta hedhë në referendum çështjen e imuniteteve, pavarësisht nëse një gjë e tillë është kushtetuese apo jo. Në SALBANIA gjërat duhet të bëhen vetëm ashtu si do Saliu. Nëse ai do, për shembull të hedhë 1 miliardë euro në një rrugë (që e emëron demagogjikisht si rruga e kombit për të maskuar me patriotizëm një korrupsion të qartë me këto miliona), kjo do të bëhet, edhe pse shteti nuk ka ende as spitale për të qenë, as shkolla të mjafta, as helikopterë për shuarjen e zjarreve apo as makina për pastrimin e rrugëve. Jetët e njerëzve kanë nevojë urgjente për gjëra të tilla, por ato duhet të presin, sepse kështu është vullneti i Saliut. Nuk zemërohen shqiptarët me këtë gjendje? Ka plot që zemërohen, madje në shumicë. Por edhe kësaj Saliu ia ka gjetur anën. Ai i vjedh zgjedhjet, hapur dhe fshehtë, me anë të një mekanizmi manipulimi, ku banditët e kutive të natës janë në aleancë me institucionet e “pavarura”, si KQZ apo Kolegji Zgjedhor. Saliu e do demokracinë jo vetëm për t’ia pirë gjakun, por dhe për t’u trukuar me të. Ndoshta prandaj edhe disa perëndimorë nuk po arrijnë të shikojnë se në vend që të europianizohet, Albania po kthehet prapa në traditën e shtetit të një njeriu të vetëm duke degraduar në një SALBANIA!

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA