Punonjësit e BSH, kredi me interes 0.5 për qind

31/08/2012 00:00

Punonjësit e Bankës së Shqipërisë, jo vetëm që janë më të mirëpaguarit
në vend, por kanë edhe benefite të tjera. Si askush tjetër në këtë vend,
kush punon në Bankën e Shqipërisë ka të drejtën të aplikojë të marrë
kredi nga vetë banka me interes 0.5 për qind. Ky nivel konsiderohet më i
ulëti, madje të pastrehët kur marrin kredi nga shteti, paguajnë interes
3 për qind (kategori e caktuar).

Kjo e drejtë për të marrë kredi në Bankën e Shqipërisë lidhet me faktin e shmangies së konfliktit të interesit, në rast se një punonjës i BSH-së merr financim nga një bankë private në vend. Për të ndalur këtë marrëdhënie, punonjësve nuk u lejohet të aplikojnë në bankë tjetër, por vetëm te BSH.

Nisur nga kjo pikëpamje, kjo logjikë është e drejtë, por masa e interesit është e diskutueshme. Kjo është njëra anë e të mirave, pasi të marrësh një tjetër kredi në shuma të larta, deri në 10 milionë lekë, nuk e ndalon rregullorja. Nuk mund të thuash me siguri shifrën e kredive të marra, por arrijnë në qindra milionë lekë.

Në “qeverisjen” e guvernatorit Ardian Fullani, Banka e Shqipërisë ka dyfishuar stafin, numri i të cilit ka arritur në rreth 505. Fondet për shpenzime personeli janë rritur çdo vit, sikurse edhe për pagat, duke kapërcyer 1 miliard lekëshin.

Kështu në vitin 2009, shpenzime për personelin ishin 950 milionë lekë, kurse në vitin 2012, sipas të dhënave zyrtare nga buxheti i miratuar i vetë bankës, ka arritur në 1.3 miliardë lekë, pra 400 milionë më shumë, ose 30 për qind më tepër.

Debati mbi shpenzimet e Bankës së Shqipërisë lidhet me faktin se sa të drejta janë ato në raportin e nivelit jetik të vendit, ku të ardhurat mesatare për frymë arrijnë në rreth 4 mijë dollarë, kurse kreu i BSH-së arrin të marrë në rreth 100 mijë dollarë.

Skandali mbi shpenzimet e BSH u publikua në TCH me dyshimet e ngritura nga deputeti i PS-së, Erjon Braçe.

Të dhënat nga vetë bilanci zyrtar i bankës tregojnë se shpenzimet e personelit në Bankën e Shqipërisë janë rritur me gati 40 për qind krahasuar me vitin 2009, ndërkohë që shpenzimet administrative janë dyfishuar. Zoti Braçe evidentoi dy zëra,

që sipas tij tregojnë qartë se si banka i përdor paratë publike.

“Për vitin 2012 janë planifikuar 11 milionë lekë të reja në formë kompensimesh ushqimi në BSH. Të habitshme janë shpenzimet e sportit që në vitin 2009 kanë qenë 27.8 milionë lekë të reja, ose rreth 280 mijë dollarë. Në 2012-n, këto shpenzime janë ulur në 37 mijë dollarë. Ç’janë këto shpenzime sporti prej 40 mijë dollarësh në BSH”, është shprehur Braçe. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist thotë se dyshime të forta ka dhe në një tjetër zë shpenzimesh, që lidhet me qiranë që banka u paguan subjekteve private për godinat, të cilat arrijnë në 1 milion dollarë në vit.

Sa i takon këtyre kritikeve, Fullani reagoi një ditë më pas.

“Duhet të jemi shumë korrektë dhe të mos biem në rrjetën e shpifjeve. Ne nuk shpenzojmë, por investojmë në njeriun, në elementin më të rëndësishëm të tij që është profesionalizmi. Duhet ta kemi të qartë se nuk mund të kemi një institucion të pavarur, nëse nuk ke një punonjës profesionist”, deklaroi Fullani. Zoti Fullani i quajti si të domosdoshme edhe shpenzimet për kompensimin e ushqimeve dhe ato të sportit

“Për sa i përket sporteve, këto janë elementë të domosdoshëm të zhvillimit të një institucioni bashkëkohor, pjesë e institucioneve ndërkombëtare. E them me krenari që vajzat e Bankës së Shqipërisë, në volejboll, fituan vendin e dytë në Ballkaniadën e Bankave Qendrore dhe njëkohësisht po bëjmë një revolucion për rikonstruksionin e godinave të bankës”, shtoi Fullani. Megjithatë, ky shpjegim i guvernatorit nuk mjaftoi për të qartësuar opozitën, madje ka ndezur më shumë debatet ditët e fundit.

Top Channel