Zyrtarët në Luiziana dhe Misisipi urdhëruan shpërnguljen e banorëve në zonat e ulëta, pas dëmtimit të një dige nga stuhia tropikale “Isaac”, që deri tani ka shkaktuar vdekjen e një personi në Shtetet e Bashkuara.
Të paktën 50 mijë persona jetojnë në zonën ku ndodhet diga, në liqenin Tenxhipehoue. Zyrtarët janë të frikësuar se diga e dëmtuar, që ndodhet 161 km në veri të Nju Orlinsit, mund të përbëjë një kërcënim serioz, duke i shtuar kësaj edhe fryrjen e lumit.
Guvernatori i Luizianës, Bobi Xhindal ka urdhëruar dërgimin e 89 autobusëve për të shpërngulur banorët. Megjithëse nuk është më uragan, “Isaac” vazhdon të jetë i rrezikshëm, ai ka sjellë me vete reshje të shumta dhe tornado.
Në orën 19.00, me orën tonë, ai ndodhej 25 km në jug-perëndim të Monroe të Luizianës, duke lëvizur me 15 km në orë. Mbi 7.000 ushtarë të Gardës Kombëtare janë thirrur në detyrë në katër shtete, pjesa më e madhe e tyre janë vendosur në Luiziana.
Stuhia goditi të mërkuren Nju Orlinsin, në shtatëvjetorin e uraganit “Catrina”, hija e të cilit ende nuk është larguar. Në 2005-ën, ky uragan shkaktoi mbi 1.800 viktima dhe dëme kolosale. Zyrtarët thane se: “Sistemi i argjinaturës, i ndërtuar për të mbrojtur qytetin, kaloi testin më të rëndë”.
Një nga zonat më të goditura ishte Plakëmajns Perish, në jug të Nju Orlinsit, ku barkat e dërguara ndihmuan në shpërnguljen e mijëra banorëve, disa prej të cilëve qëndronin në çatitë e shtëpive, çka risolli në kujtesën e të gjithëve pamjet e frikshme gjatë uraganit “Catrina”.
Të enjten në mëngjes, mbi 1 milionë banorë të Luizianës dhe Misisipit kishin mbetur pa energji elektrike. “Isaac” pritet të zhvendoset ngadalë gjatë së premtes në Arkansas dhe më pas në pjesën qendrore të Shteteve të Bashkuara.
Top Channel