DORIAN KOÇI – Në javët e para të shtatorit mund të shikojmë arritjen e
një konsensusi politik midis dy palëve brenda një seance parlamenti për
çështjen shumë të debatueshme të heqjes së imunitetit të deputetëve.
Për të folur me tema më konkretë, Lëvizja Socialiste për Integrim nëpërmjet kryetarit të vet, Ilir Metës, ka propozuar dhe ofruar ndihmën e vet për arritjen e një marrëveshjeje midis palëve pa i hyrë rrugës së gjatë, të stërmundimshme nga ana ligjore dhe me shumë shpenzime të referendumit. Si mund të vërehet lehtë, politika shqiptare i ka mjetet dhe mundësitë për të dalë nga kriza artificiale, pasi kur është më se e qartë që të dyja palët janë dakord në parim për të njëjtën gjë, modalitetet dhe mjetet mund të gjenden kollaj. Në këtë kontekst, roli moderator i LSI-së, një rol që pak u mendua kur u arrit marrëveshja qeveritare në 2009-n, por që koha përtej retorikës së dy partive të mëdha po tregon që është pozitiv, mund të fillojë të rritet e të japë sinjalet e para se një politikë dialogu dhe konsensusi po troket në pragun e jetës sonë politike. E gjithë kjo përpjekje pozitive po bëhet për të pasur një mundësi më tepër që Shqipëria në këtë 100-vjetor të Pavarësisë të ketë një shans më tepër për të fituar statusin e vendit kandidat, ndaj përpara se politika të fillojë sërish të ngatërrojë togfjalëshat e integrimit me interesat e zgjedhjeve të ardhshme, mesazhi i këtyre përpjekjeve duhet të jetë i qartë jo vetëm për politikanët, por dhe për masat më të gjera. Mirëpo edhe nëse ky realitet mund të shfaqet i ngatërruar për publikun e gjerë, në të njëjtën kohë ai është shumë qartë i dukshëm për lojën politike që në vetvete mbart.
Që nga zgjedhjet e vitit 2009, kur u bë i qartë se, pavarësisht disa ndryshimeve kushtetuese, sërish disa ligje kishin nevojë për një shumicë të cilësuar të përbërë nga tre të pestat për t’u miratuar në Parlament, opinioni publik ka qenë dëshmitar i një loje elektorale në fillim apo dhe në fund të legjislaturave, ku shumica ka futur në rendin e ditës këto ligje për t’u miratuar dhe opozita duke qenë gjithmonë vigjilente ka deklaruar se nuk do t’i votojë. Pastaj ka pasur deklarata të forta nga të dyja grupet parlamentare, në të cilat si zakonisht në kontekstin e shoqërive shqiptare, “faji mbetet jetim”, dhe akoma dhe më keq situata është rënduar në sharje dhe fyerje të ndërsjella duke e tensionuar më shumë klimën politike në vend. Për fat të mirë kjo pjesë e mundimshme e politikës është kapërcyer me votimin e këtyre ligjeve, por ka lënë pas kulturën e shkatërruar të dialogut që e shikojmë të zbatohet për çdo çështje të debatueshme midis pozitës dhe opozitës si është rasti i tanishëm i heqjes së imuniteteve.
Ky film me ngjyra, zë dhe figurë që opinioni publik po e sheh pothuajse gjithmonë në prag të dhënieve të opinionit të Komisionit Europian për statusin kandidat të Shqipërisë, i ka lodhur strukturat administrative ndërkombëtare që merren me Shqipërinë, por dhe ka krijuar një klimë mosbesimi brenda vetë popullsisë shqiptare për sa i përket arritjes së një marrëveshjeje politike mes palëve. Ajo që me të vërtetë duhet të na shqetësojë në këtë lodhje të tyre ndaj nesh nuk duhet të jetë ndonjë shpresë e vakët, se për hir të mosmarrjes më me ne, do të ketë ndonjë “dhuratë” statusi, sepse kështu ndoshta e kanë marrë edhe të tjerët, por si mendojmë ne se do të zgjidhim nga mënyra politike dhe administrative ngecjen në vend në procesin e integrimit. Se ku të çojnë statuset e pamerituara dhe të dhëna sa për inkurajim e tregon rasti i Greqisë që ndoshta ia doli mbanë për një periudhë kohe të hyjë në klubin e eurozonës dhe të quhet një shtet prestigjioz në arenën ndërkombëtare për sa i përket reputacionit të vet financiar, por tashmë po poshtërohet përditë në një krizë që e ka kapluar të tërën dhe që është bërë shpeshherë dhe objekt talljeje dhe cinizmi nga aleatët e vet të eurozonës. Ndaj kandili i shpresës së vakët për të përftuar një status me reforma mballomë duke votuar vetëm ligje me tre të pestat dhe duke hequr imunitetet, por duke mos ndryshuar mentalitet për sa i përket zgjidhjes së problemit të ngecjes në vend të reformave duhet të fiket, sepse në të ardhmen s’do të jetë në gjendje që të lëshojë qoftë edhe një shkëndijë drite në qiellin e jetës dhe politikës sociale shqiptare.
Po kështu duhet të fillojë të ndryshojë edhe deontologjia e konceptit konsensus, duke mos u përqendruar më te fjala “jap”, por duke u fokusuar te folja lëshoj. Të hysh në një marrëdhënie konsensusi midis dy palëve, do të thotë që të jesh gati të lëshosh dhe të ndryshosh disa nga qëndrimet e mëparshme për hir të interesit të përgjithshëm e publik. Po çfarë është gati të ndryshojë nga kërkesat e veta Partia Demokratike? Po ajo Socialiste, çfarë është gati të ndryshojë nga pikat e saj? Këtu filli i problemit shqiptar fillon e ngatërrohet dhe nga një lojë e ndershme politike kthehet në një teatër kukullash ku personazhet e mirë dhe të këqij ngatërrohen me njëri-tjetrin dhe pothuajse në të gjitha raste ngjallin simpati. Mirëpo nëse integrimi vazhdon të mbetet paradigma kryesore e teorisë së tyre politike, të dyja palët ka ardhur koha që të adaptojnë atë dhe në marrëdhëniet midis tyre ose të kenë kurajën dhe të shpallin një axhendë tjetër të zhvillimit ekonomik, politik dhe kulturor të Shqipërisë. Bota europiane që mbart në vetvete dhe trashëgiminë e demokracisë antike greke e ka dialogun dhe konsensusin pjesë integrale të kulturës së vet demokratike, prandaj është e patolerueshme që vendi ka ngecur institucionalisht, sepse nuk është në gjendje të ketë një dialog të shëndoshë politik në vend. “Gur, gur bëhet mur” ishte përgjigjja e një pyetje që një nga ambasadorët e huaj bëri kur u pyet se çmendonte rreth dialogut politik që duhet të fillonte në bazë të paktit të propozuar. Më hapur, më bukur dhe më shqip nuk ka se ku të shkojë. Të shpresojmë se vjeshta e lagësht është e përshtatshme për metaforat e ndërtimeve konstruktive në politikën shqiptare.
Top Channel